Flet prokurori: Përleshja në Fushë Kosovë mes policëve dhe qytetarëve, për shkak të gjobave, e pësoi edhe një kalimtar

03.11.2020 19:29:19

Një person është plagosur me armë zjarri dhe pesë tjerë kanë marrë lëndime trupore gjatë përleshjes që ka ndodhur sot mes policëve dhe disa qytetarëve në Fushë Kosovë.

Prokurori i rastit të përleshjes në Fushë Kosovë, Armend Hamiti ka njoftuar se gjashtë persona janë duke u intervistuar nga policia.

“Përleshja ka ndodhur pasi është dhënë gjoba nga ana e policisë, ku pastaj disa persona kanë dalë që të pengojnë policët. Një shkrepje me armë ka ndodhur për toke, jemi duke identifikuar personat e përfshirë dhe hetimi po vazhdon. Nuk ka ndonjë të lënduar që ka rrezik jetën”, u shpreh ai para mediave.

Hamiti theksoi se ende nuk ka vendim për arrestim të personave,  dhe se momentalisht janë duke u intervistuar gjashtë persona në stacionin policor.

“Në vendin e ngjarjes janë edhe nga Inspektorati Policor që po hetojnë nëse policët kanë bërë ndonjë lëshim. Janë sulmuar dy zyrtarë policorë, me informacionet që i kemi është dikush nga lokali që është lënduar. Tani ka ardhur edhe informata që i lënduar mund të jetë edhe një qytetar që ishte kalimtar rasti”, theksoi Hamiti.

Ndryshe, përleshja fizike mes policëve dhe qytetarëve ka ndodhur sot rreth orës 14:00.