Ngjarja horror në Austri/ Rrëfimi i shqiptarit: Ne nuk përmendemi për sulmin

03.11.2020 20:39:17

Pesë persona humbën jetën dhe 22 të tjerë u plagosën në Vjenë të Austrisë mbrëmjen e djeshme, si pasojë e sulmeve të shumëfishta terroriste.

Emisioni “Top Talk” e ka nisur puntatën e sotme pikërisht me këtë ngjarje horror që ndodhi në Austri. Në një lidhje të drejtpërdrejtë ishte shqiptari, Albi Jaçi, i cili rrëfeu se kishte qenë pranë vendit të ngjarjes e fatmirësisht ka shpëtuar pa u lënduar.

“Kur erdhën policia dhe ambulancat, shkova te makina dhe u nisa për shtëpi. Është një ngjarje e frikshme ku humbën jetën 5 persona e 22 të tjerë janë në spital. Edhe një shok i imi u plagos e ndodhet në spital”, tha ai.

Ndërkohë i pyetur se çfarë thonë mediat vendase në lidhje me personin që kreu sulmin, pasi mediat shqiptare shkruajnë se bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, ai tha:

“Unë e para duhet të them se këtë e dëgjoj vetëm nga ana shqiptare. Nga mediat austriake nuk përmendet Shqipëria. Ai ka lindur në Austri dhe nuk dihet se si ka patur këtë ide për sulmin. Ai ka dashur që të shkojë në Siri dhe se e kishin kapur dhe lënë në burg për 6 muaj. Ishte në fakt 22 muaj për të qëndruar, por doli më herët pasi menduan se është shëruar. Nuk ishte shëruar, pasi bëri këtë akt”, tha Haçi.

Ndërsa i pyetur se si është gjendja aktualisht në Austri, Albi tha se momentalisht ndodhet nën kontrollin e policisë.

“Njerëzit mund të dalin nga shtëpia, por shteti ka bërë thirrje që të dalin sa më pak, vetëm për raste emergjente. Para pak orësh njerëzit nuk dinin se çfarë të thoshin, janë akoma të traumatizuar. Tani kanë nisur që të thonë se nuk duhet që ky akt terrorist t’i ndalojë që të bëjnë jetën normalisht, edhe pse na ka shokuar shumë”, shtoi ai.