Flora Brovina: Nuk e kam parë Albin Kurtin duke aktivizuar lotsjellësin

Flora Brovina: Nuk e kam parë Albin Kurtin duke aktivizuar lotsjellësin

01.12.2017 12:36:48
 Në gjykimin e katër kolegëve të saj të Vetëvendosjes, deputetja Flora Brovina që është e dëmtuar e këtij procesi deklaroi se nuk e kishte parë nëse Albin Kurti aktivizoi lotsjellësin në Kuvend.

“Nuk e kam pa Albinin duke e ndez, por kam pa zjarrin si shejë se diçka po ndizet, e Albini ka qenë duke folur”, tha Brovina kur u ballafaqua nga prokurori me deklaratën e mëhershme për këtë çështje.

Sipas prokurorit Valdet Gashi, Brovina në polici kishte thënë se Albin Kurti e kishte ndezur lotsjellësin.

“Me gjithë vështirësitë, seanca ka vazhduar dhe pas një kohe kam pa Albin Kurtin duke u ulur në parket dhe ka ndez një mjet që tymoste shumë”, kishte thënë në polici Brovina, sipas prokurorit.

Por Brovina e përsëriti disa herë se nuk e kishte parë Kurtin duke e kryer këtë veprim.

Brovina më pas përshkroi se si u ndie kur u hodh lotsjellësi në sallën e mbledhjeve të Kuvendit.

“Kam qenë e ulur në rendin e parë dhe kam parë se diçka po tymoset dhe jam ndier keq dhe unë qysh kur kam dalë nga burgu ne vitin 2001 kam dalë me diagnoze për probleme ne zemër”, tha Brovina.

Ajo tregoi pastaj se lotsjellësi e ka dëmtuar. “Në vitin 2002 jam operuar ne zemër dhe kam tri stenta dhe prandaj ky tym me ka shkaktuar dëm dhe nuk e di se si saktë, por e mbaj mend se jam kapur për një kolege”, tha Brovina.

Ajo deklaroi se lotsjellësi i hedhur në sallë të mbyllur është armë. “Nuk kam mundur të besoj se gazi lotsjellës hedhet në salla të mbyllura, sepse besoj se brenda është armë qe rrezikon njeriun”, tha Brovina.

Brovina tha se prindërit e Albin Kurtit i ka shokë të mirë. Ajo më herët gjatë seancës deklaroi se nuk do të paraqesë kërkesë pronësoro-juridike.