Kërkohen vota, qeveria i jep detyra edhe bashkisë së Tiranës

07.11.2016 13:36:59

Qeveria shqiptare po nxiton të përfundojë me shpejtësi para zgjedhjeve, sheshin ‘Skënderbej’ dhe dy parkingjet nëntokësorë të Tiranës, koha kur pritet të fillojë fushata elektorale.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj deklaroi sot se sapo ka nisur ndërtimin e parkingut të dytë në sheshin Skënderbej, që do të përfundojë në muajin mars, kuse parkingu i parë, ai në fillim të Bulevardit të Ri, mbaron në fillim të janarit.

“Punë me 3 turne për ta përfunduar sa më shpejt sheshin Skënderbej, – tha Veliaj. – Sapo kemi nisur parkingun e dytë publik nëntokësor të Bashkisë së Tiranës. Parkingu i parë po ndërtohet në fillim të Bulevardit të Ri, i cili do të mbarojë në fillim të Vitit të Ri, kurse ky në Sheshin Skënderbej do të përfundojë në muajin Mars. Do të ketë 300 vende parkimi, një mënyrë ideale për ta lënë makinën për ata që i lidh puna me institucionet kryesore rreth sheshit. Kjo është mënyra se si projektojmë Tiranën moderne, ku hapësirat publike u kushtohen njerëzve, jo makinave.

Jam shumë entuziast me mënyrën se si kanë shkuar punimet, me një ritëm fantastik, – tha ai. –  Kemi vetëm dy muaj që kemi filluar dhe një pjesë e madhe e sheshit po konturohet. Kemi filluar me porositjen e pllakave, të cilat do të vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia. Mezi pres që me të mbaruar parkimin të fillojmë edhe me shtrimin e sheshit, dhe pranvera tjetër të na gjejë të përfunduar me projektin më të madh infrastrukturor, atë të Tiranës moderne”, tha kryebashkiaku.