FOTOGRAFIA ME E VJETER SHQIPTARE MARIE LOGORECI “ËVETARI” I NAUM VEQILHARXHIT

23.11.2017 11:40:13

Prof. dr. Tomor Osmani

Ndoshta sot lexuesit mund t‘i duket çudi që për një libërth të tillë prej 8 faqesh të ketë pasur aq jehonë, të jenë shkruar artikuj të shkurtër dhe të gjatë, të jenë botuar edhe monografi dhe vazhdon të rikujtohet edhe pas një shekulli e gjysmë e më shumë. E ky është “Ëvetari” i Naum Veqilharxhit, i pari abetar i shqipes, shkruar me një alfabet të veçantë dhe qarkulluar në vitin 1844, 165 vjet më parë.
Kush ishte Naum Veqilharxhi? Ishte një patriot nga Vithkuqi i Korçës, që qe një ndër qendrat ekonomiko-kulturore të mëdha të vendit tonë në shekullin XVII-XVIII, që më pas u shkatërrua, duke u kthyer në një fshat të zakonshëm. Në një zonë të tillë me tradita patriotike dhe arsimore lindi Naum Veqilharxhi, në fund të shekullit XVIII dhe vdiq, siç thuhet i helmuar nga patrikana greke, më 1846, duke u bërë kështu dëshmori i parë i Rilindjes sonë Kombëtare. Shumë i ri, së bashku me familjen emigroi në Galac të Moldavisë për të mos u kthyer më në atdhe. Më pas do të punojë si avokat në Braila të Rumanisë, e cila ishte një qendër e emigracionit në Ballkan, e kulturës iluministe dhe e lëvizjes çlirimtare.
Naum Veqilharxhi qe atdhetari i parë shqiptar që formuloi kërkesat kulturore të lëvizjes sonë për çlirim kombëtar, duke u bërë kështu pararendësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në formimin e tij luajti një rol edhe mjedisi patriotik i kohës ku ai jetoi dhe pjesëmarrja në lëvizjen eteriste që luftoi në atë vend për të shporrur pushtuesin e huaj.
Kështu me emrin e Veqilharxhit lidhet një veprimtari e gjerë patriotike që do t‘i shërbente zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar dhe pati një ndikim të veçantë tek atdhetarët shqiptarë, të cilët në veprimtarinë e tyre ecën në gjurmët e Naum Veqilharxhit. “Ata, theksonte M. Islami, shihnin tek ai njeriun që kishte hapur një rrugë të re për çështjen kombëtare dhe për këtë arsye e nderonin dhe e ruanin të gjallë kujtimin e tij”.
N. Veqilharxhi ishte iluminist dhe si i tillë u jepte përparësi lëvrimit, përhapjes dhe shkrimit të gjuhës amtare, kur dihej se shqiptarët, duke qenë të pushtuar, kishin pengesa në lëvrimin dhe pasurimin e saj, pasi politika e pushtuesit ishte e tillë që donte të përjetësonte prapambetjen shekullore. Prandaj mbështeste pikëpamjet iluministe se një popull mund të dalë nga padituria, vetëm duke shkruar e lëvruar gjuhën amtare e duke e konsideruar faktor të rëndësishëm edhe për zhvillimin mendor të fëmijëve dhe mjet të fuqishëm për përvetësimin e njohurive. E gjithë veprimtaria e tij politike e pedagogjike ka bërë që N. Veqilharxhi të zërë një vend të rëndësishëm në historinë e shkollës, të shkrimit shqip dhe të historisë së mendimit politik dhe pedagogjik.
Rrethanat e kohës diktonin që të zhvillohej arsimi në gjuhën amtare, të arsimoheshin shqiptarët e kjo duhej realizuar në një kohë sa më të shkurtër. E bënte të domosdoshme një veprimtari të tillë, pasi mund të zhdukeshin edhe ato akte të trashëguara nga e kaluara.
Veprimtaria e tij kulturore është përqendruar në hartimin e një alfabeti të veçantë për shqipen dhe botimi i dy abetareve. Ka edhe ndonjë informatë tjetër, se përveç abetareve deshti të botojë edhe një gramatikë, por vdekja ia ndërpreu planet e tij. M. Domi, disa vite më parë, pati deklaruar se N. Veqilharxhi kishte përgatitur lexime për moshën fëminore dhe të rriturit, ndërsa Dh. S. Shuteriqi pranonte se që më 1844 kishte gati një përkthim të “Një mijë e një netëve”. Të gjitha këto njoftime na bëjnë të mendojmë se N. Veqilharxhi duhet të ketë lënë në dorëshkrim edhe vepra të tjera të pabotuara.

* * *
Punën e parë Naum Veqilharxhi e nisi me hartimin e një alfabeti të veçantë për shqipen për të qenë kështu nismëtar për një vepër të tillë, pasi ky alfabet do të ishte jashtë ndikimeve politike dhe
fetare të kohës. Ai ishte i bindur se një punë e tillë mund ta bënin edhe vetë shqiptarët. Kujtojmë Çajupin, i cili gjysmë shekulli më vonë,
deklaronte se alfabeti duhet të zgjidhet prej nesh. Naumit i kushtoi shumë kohë për të hartuar këtë sistem shkrimor, ku thuhet se punoi rreth 20 vjet, diçka e ekzagjeruar. Tek alfabeti i këtij punëtori atdhetar duhet të vlerësojmë ndjenjat patriotike të autorit, që kërkonte me insistim që të shkëputej nga çdo ndikim i huaj, duke dhënë një alfabet të veçantë, pasi populli shqiptar ishte një popull më vete, kishte historinë dhe gjuhën e tij, prandaj duhet të kishte edhe alfabetin e vet. Por ky sistem shkrimor nuk ishte praktik, si nga përdorimi, ashtu edhe se krijonte vështirësi financiare për të blerë shtypshkronja, pasi atyre ekzistueseve u mungonin të gjitha karakteret e veçanta.
Burimi i këtij alfabeti ka ngjallur diskutime në qarqet shkencore të kohës dhe më vonë. Autorët e ndryshëm qofshin vendës apo të huaj kanë dhënë shpjegime të ndryshme. Ne kemi mendimin se Naum Veqiharxhi nuk është mbështetur në asnjë nga alfabetet ekzistuese. Ai krijoi një alfabet të veçantë, por nuk përjashtohet mundësia e ndikimit të ndonjë elementi nga alfabeti cirilik sllav dhe ciriliku sllav civil. Mithat Frashëri, një shekull më parë, theksonte se shkronjat e Naum Veqilharxhit janë të veçanta dhe së largu ngjajnë me armenishten. Një ide të tillë për një ndikim nga alfabeti armen e ka shprehur edhe ndonjë autor tjetër. Një shtjellim më të hollësishëm e ka bërë dr. Gjystina Shushka, e cila është marrë ekskluzivisht me veprën e Veqilharxhit, kryesisht, në rrafshin gjuhësor, që përveç të tjerave në vitin 1999 botoi në Prishtinë monografinë “Gjuha në veprën e Naum Veqilharxhit”. Mundësinë e ndikimit nga alfabeti armen ajo e shpjegon me kontaktet që ka pasur Naum Veqilharxhi me armenët në lagjen ku banonte në Braila gjatë viteve 1834-1839.
* * *
Duke qenë se e zgjidhi sipas pikëpamjes së tij çështjen e alfabetit, Naum Veqilharxhi u mor me hartimin e abetareve për gjuhën shqipe, kur në atë kohë nuk kishte një alfabet të vetëm të gjuhës sonë dhe nuk kishte shkolla në gjuhën amtare. Kjo ide nuk i lindi rastësisht. Ka pasur faktorë që e kanë nxitur për t‘u marrë me një nismë të tillë. Ai jetonte në një mjedis ballkanik, kur lëvizja për çlirim nga Turqia sa vinte e rritej dhe ndërgjegjja politike sa vinte e forcohej, kur popujt e Ballkanit një nga një kishin fituar pavarësinë. Edhe historiku i hartimit të abetareve në popujt e Ballkanit nuk ishte i hershëm. Brenda 2-3 dhjetëvjeçarëve të shekullit XIX të gjithë këta popuj hartuan abetaret e tyre. Prin fillimisht Greqia, duke hartuar abetaren e parë në Ballkan, për të vazhduar me atë të Rumanisë (1820), të Bullgarisë (1824) dhe të Serbisë (1827). Roli i këtyre abetareve ishte i madh, duke ditur se ai është libri i parë i nxënësit. Patjetër edhe ky faktor ka pasur ndikimin e vet te N. Veqilharxhi. Së pari hartoi një abetare prej 8 faqesh me titull “Fort i shkurtër e i përdorshim Ëvetar shqip për çdo si cillë që do të mpsonjë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”. Autori e shihte se pak faqe nuk ishin të mjaftueshme, por e ndiente të domosdoshme të bënte edhe ndonjë sqarim. Kështu në parathënien e botimit të dytë theksonte se “mos i vështroni të vogëlmit e ti, koha do t‘i dëftenjë të mathtë e të rendit” (=rëndësinë e tij). Një vit më vonë Veqilharxhi, më 1845 botoi abetarin e dytë prej 50 faqesh me titull “Fare i ri Ëvetar shqip për djelm nismëtorë, nxjerrë e dhënë mbë dritë tani herën e parë për djem të vegjël me një të zgjedhur nga disa gjë të mirash e të fitimëshme”.
Ky abetar humbi nga qarkullimi gati një gjysmë shekulli dhe së fundi u gjet në Greqi në një bibliotekë të atjeshme. Menjëherë u transkriptua nga Ll. Nase, Tiranë, 1984 dhe më vonë nga Gj. Shushka, Prishtinë, 1994.
Parathënia e botimit të dytë ka si titull “E parthënme për mbi djemt e rinj shqipëtarë”. Ishte një manifest i vërtetë i lëvizjes sonë kombëtare. Përveç të tjerave, kjo parathënie kishte vlera edhe për mendimet që jep për zhvillimin e gjuhës dhe të arsimit kombëtar. Në Ëvetar ka dhënë edhe këshilla për të rinj, shumë prej tyre me përmbajtje praktike dhe edukative, si: Secili ka për detyrë të dojë vendin e tij. Më e madhe gjë se të mësuarit nuk ka mbë këtë jetë; Kush nuk mëson e nuk punon, nuk duhet të hajë.
Ëvetarin u prit me interes në Shqipëri, kryesisht në atë juglindore. Korçarët në letrën që i dërgojnë më 4 maj 1845 N. Veqilharxhit, posa kanë marrë Ëvetarin, i shkruajnë: “duke lavdëruar dhe lartësuar të plotëfuqishmin Perëndi, që ju ka ndriçuar për t‘i paraqitur në gjuhën tonë shkronja me të cilat prej aq shekujsh kombi ynë ka hyrë në histori. Tani me këtë zotësi të zotërisë suaj të denjë për t‘u lavdëruar, kombi ynë do të numërohet me këtë fillim me kombet e ndriçuara të Europës” dhe emri i Zotërisë suaj do të mbetet i pavdekshëm deri në fund të shekujve”.
Me interes është edhe gjuha e përdorur në këto dy abetare, kur vihet re një prirje për t‘i afruar dialektet e shqipes që rilindësit tanë të shquar do ta ngrenë në veprat e tyre. Kjo duhet parë lidhur ngushtë me mundësitë e tij dhe kushtet historiko-shoqërore kur Veqilharxhi punoi. Te Veqilharxhi gjithashtu, vihet re dëshira dhe përpjekja për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës, zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë të shqipes në përputhje me strukturën e gjuhës sonë etj. Me gjithë dëshirën e mirë që kishte Veqilharxhi për të krijuar fjalë të reja, nuk qe dorëmbarë. Për këtë mund të kenë ndikuar edhe mungesa e një përgatitjeje të shëndoshë gjuhësore. Megjithatë mund të përmendim ndonjë prej tyre, ndonëse shumica nuk pati jetë, si: tërulmt-përulje, tërsjellt=përkthej, përgjykonj=rigjykoj, përflaç=përbuzësh parfolmësi=profet, parpleqtë=stërgjyshërit, mfshersës=spiun, nxjerës- hartues, krerëtore=shkronjë e madhe, mëzëtore=bashkëtingëllore, vendlermi=atdhe, vendlehti=parajsë etj. Në Ëvetarët e tij gjallëroi edhe ndonjë fjalë të vjetër, si gërbje për kullë, ose i përdori me zgjerim kuptimi, si dora për fara, komitë për shërbyes, kuvënt për fjalë etj.
Nga fjalët e krijuara disa u trashëguan, si fletore për libër, abetare, broshurë që më vonë u përdor për gazetë, e parthënme për parathënie, zëtore më zanore etj.
Veqilharxhi ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për çdo punë që bënte në interes të atdheut dhe të gjuhës shqipe. Në parathënien e “Ëvetarit” të vitit 1845 shkruante: “…sa vjet i madhi Zot të më falnjë i kam për të tërthertur (=sakrifikuar) duke punuar për vendin tim… për këtë gjuhënë tënë”.

* * *
Në vitin 1846, atë vit që mendohet se e kanë helmuar, ai hartoi një qarkore (Enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë të pasur dhe të mësuar në Shqipëri, në të cilën formuloi për herë të parë kërkesat në fushën e kulturës për lëvizjen tonë kombëtare, duke i dhënë përparësi mësimit të gjuhës amtare dhe ngritjes kulturore që do të shërbenin për ta radhitur popullin tonë krahas popujve të tjerë të qytetëruar. Kultura, sipas N. Veqilharxhit, mund të fitohet vetëm me anë të gjuhës amtare. Ai e kupton se nga i vjen rreziku shqiptarëve. Duke qenë iluminist, edhe në këtë qarkore shtron nevojën se cilat do të ishin kërkesat për popullin tonë. Në këto momente ishte e domosdoshme që të rrisnim dijet tona, ta shkruajmë gjuhën shqipe. Për këtë ai shkruante: “Ato kombe që mbetën në padije u shëmbellejnë thjesht skllevërve… këto vetëm atëherë do të mund të dalin nga gjendja e turpshme e mjerimit kur do të fillojnë të lërojnë gjuhën e tyre kombëtare, mirëpo kjo nuk fitohet ndryshe veçse me shkronja të posaçme kombëtare, gjë që është filluar para meje, por që për shkak të përzierjes me të huaj dhe të intrigave të ziliqarëve, të gjitha mbeten pa fryt”.
Po në atë vit kemi një letër të gjatë me karakter polemizues që i drejton të nipit të tij Jani Calit, që studionte në Vjenë. Veqilharxhi me një gjuhë të ashpër i drejtohet shqiptarëve dhe të nipit, duke i treguar se cilat do të ishin detyrat e tyre. Me botimin e abetareve nga disa elementë antishqiptarë kishte nisur lufta kundër tij. I nipi, grekoman, që ishte kundër përpjekjeve të Veqilharxhit për çështjen shqiptare, e këshillon xhaxhanë që të mos merret me shqipen se po rrezikonte pasurinë, moralin e jetën. Veqilharxhi në këtë letër i përgjigjet, në mes të tjerash, se padija sjell që të mohohet kombi shqiptar, historia dhe gjuha e tij.
E gjithë letra është një dokument i rëndësishëm që pasqyronte patriotizmin e tij të flaktë të Naum Veqilharxhit, si dhe botëkuptimin e tij

* * *
Vepra e tij nuk ishte e gjerë dhe voluminoze, por me vlerë, si abetaret dhe në mënyrë të veçantë parathënia e botimit të dytë të “Ëvetarit”, Qarkorja dhe letra dërguar Jani Calit janë dokumente me vlerë historike për atë periudhë.
N. Veqilharxhi mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kulturës sonë të gjysmës së parë të shekullit XIX që kontribuoi për lëvizjen tonë kombëtare për çlirim nga Turqia.