Prishtina dhe Prizreni shkojnë në rinumërim

23.11.2017 11:01:08

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur të qoj në rinumërim të gjitha votat në Prishtinë dhe Prizren.

Këtë e ka konfirmuar kryeshefi i PZAP-it, Mulë Desku.

Ky vendim është marrë pas parregullsive që partitë pretendojnë se kanë hasur gjatë balotazhit të së dielës.

Në PZAP u dorëzuan dhjetë ankesa, 2 nga Alternative, 1 nga Lëvizja Vetëvendosje, 4 nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe 3 nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Dy ankesa te Alternatives janë refuzuar. Katër ankesa të LDK-së janë pranuar, 3 ankesa për Komunën e Prishtinës dhe 1 për Komunën e Dragashit. Për Komunën e Prishtinës është vendosur që të rinumërohen të gjitha vendvotimet. Në komunën e Dragashit është vendosur që të rinumërohen 35 vendvotime. Prej 3 ankesave të parashtruara nga PDK-ja, 2 ankesa të PDK-së janë pranuar një për komunën e Prizrenit dhe një për komunën e Rahovecit. Për komunën e Prizrenit është vendosur që të rinumërohen të gjitha vendvotimet, ndërsa për Komunën e Rahovecit është vendosur që të rinumërohen 3 vendvotime, 1 ankesë e PDK-së është refuzuar. 1 ankesë e paraqitur nga LVV dhe është pranuar”, ka njoftuar PZAP.

PZAP ka theksuar se është urdhëruar KQZ që votat e regjistruara gabimisht kandidatit për kryetar të PDK-së për Prizren ti regjistrohen kandidatit për kryetar të LVV-së për Komunën e Prizrenit.