Fotografitë mbi paketat e cigareve sjellin padi dhe polemika

24.07.2019 12:03:00

Një vejan në Itali pretendon se ka njohur bashkëshorten e tij të ndjerë në një nga paralajmërimet për shëndetin në paketat e cigareve.

Avokati i tij tha se ai tani kërkon 100 milionë euro kompensim.

Kjo në fakt nuk është hera e parë që dikush pretendon se njeh veten apo një pjesëtar të familjes në një foto mbi një paketë cigaresh, por një zëdhënës i komisionit evropian thotë se individi në fjalë, nuk është ai në foto.

Sidoqoftë, avokati i italianit, do të padisë prodhuesit e cigareve në SHBA sepse atje kompanitë e kanë bazën. Ai i ka dërguar ndërkohë një kërkesë për të arritur një marrëveshje ekonomike prodhuesve që sidoqoftë, thonë se nuk kanë të bëjnë aspak me fotot pasi paralajmërimet mbi kutitë e cigareve janë çështje e rregulloreve të BE.

Paralajmërimet për shëndetin në kutitë e cigareve në bashkimin evropian, vijnë në fakt nga libraria e fotove të komisionit evropian. Të gjitha fotot janë të aksesueshme nga publike dhe identike për të gjitha markat e cigareve. Një direktivë e komisionit evropian, e 2014, nënvizon se çdo paketë  duhet të mbajë një paralajmërim për shëndetin, përfshirë një tekst dhe foton korresponduese.

Sidoqoftë, pretendime të ngjashme janë përcjellë nga mediet lokale në Evropë edhe më herët. Një gazetë britanike kishte intervistuar një grua që pretendonte se një nga fotot mbi paketa ishte e të atit. Një burrë në Gjermani pretendonte se disa foto tregonin atë dhe dy italianë po ashtu thonin se ishin ata personazhe. Ndërsa Guardian, vitin e shkuar, botoi foton e një burri, që thoshte se kishte marrë 300 euro për të pozuar si i vdekur për paralajmërimet mbi paketat e cigareve.