Fundi i erës së ‘Call Centerave’. Zv/ministrja italiane: Ligji prek edhe ndërmarrjet ekzistuese

11.12.2016 11:54:26

Zëvendësministrja italiane e Ekonomisë, Teresa Bellanova paralajmëroi se ligji i shumëpërfolur i Call Centerave do të ketë pasoja të mëdha për vendet jashtë Bashkimit Europian. Një nga personat më aktivë në promovimin e ligjit, që kufizon shpërnguljen e kompanive Call Center jashtë Italisë, Bellanova bëri të ditur se ligji hyn në fuqi në prill  dhe ndaj ndërmarrjeve që nuk përshtaten me të do të ketë sanksione të rënda.

Kushtet e reja të miratuara nga Parlamenti dhe Senati italian, pritet t’i japin fund “epokës së artë” të industrisë së Call Centerave në Shqipëri, e cila punëson mbi 25 mijë persona, kryesisht të rinj.  Rreziku që përflitej prej kohësh, tashmë është materializuar, ndërkohë që qeveria shqiptare qëndroi duarkryq.

Njoftohet thirrja

Kompanitë Call Center janë të detyruara që të tregojnë paraprakisht se ku ndodhet fizikisht operatori që kryen apo pret thirrjen telefonike. Kjo do të thotë se nga data 1 prill do të jenë vetë qytetarët italianë, ata që do të vendosin nëse duan që thirrja e tyre të kalojë nga një operator në Shqipëri, apo nga një tjetër që ndodhet në Bashkimin Europian.

Kjo vlen si për thirrjet që iniciohen nga vetë qytetarët, të cilët telefonojnë për të marrë një shërbim të caktuar ashtu edhe për ato që iniciohen nga kompanitë drejt qytetarit për të reklamuar produkte apo shërbime të ndryshme.

Në të dy rastet ligji detyron kompaninë Call Center që të vendosë në dispozicion të qytetarit, një operator që ndodhet fizikisht në Itali ose në një vend tjetër të Bashkimit Europian.

Pra për çdo shërbim që kërkojnë: përgjigje, zgjidhje problemesh apo reklama qytetarëve italianë u jepet e drejta që nëse duan atë ta marrin vetëm nga operatorë italianë.

Sanksione të rënda

“Kushtet që sjell ligji i ri vlejnë edhe për ndërmarrjet që janë tashmë të shpërngulura në vendet jashtë Bashkimit Europian”- sqaron zv/ministrja italiane e Ekonomisë Teresa Bellanova.

Sipas saj, ndërmarrjet që nuk do të zbatojnë normativat e reja do të përballen me sanksione të rënda. “Për ato ndërmarrje që nuk do të zbatojnë ligjin e ri është parashikuar një gjobë prej 50 mijë euro në ditë,’ vazhdon ajo.

Shqipëria më e goditura

Ligji i ri pritet të godasë fortë industrinë e Call Centerave në Shqipëri, jo vetëm sa i takon fluksit të kompanive të reja, por edhe atyre ekzistuese.

Sipas ekspertëve, ky ligj praktikisht ndalon çdo investim të ri në industrinë e Call Centerave, pasi ndërmarrjet nuk do të kenë më incentivën për t’u shpërngulur në Shqipëri përballë kushteve të reja shtrënguese.

Së dyti, për shkak të detyrimit për të kontaktuar një operator në Itali apo vend tjetër të BE, ligji do të sjellë tkurrjen e punës, por edhe të ardhurave për kompanitë ekzistuese të Call Centerave në Shqipëri. Rrjedhimisht industria do rrudhet dhe mijëra vetë mund të humbasin vendet e punë.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në industrinë e Call Centerave në Shqipëri, operojnë mbi 800 ndërmarrje, të cilat punësojnë mbi 25 mijë vetë. Ekspertët presin që shumë shpejt industria të fillojë të tkurret dhe mijëra vetë të humbasin vendin e punës, ndërkohë që qeveria shqiptare reagoi me mefshtësi përballë rrezikut, që tashmë është real.