Funksionalizohet agjencia e punësimit e Republikës së Kosovës

06.04.2017 08:39:26

Qeveria e Kosovës, sot miratoi vendimin për emërimin e drejtorit të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi lëshuar nga Zyra për Komunikim Publik e MPMS-së, procesi i emërimit është bërë në harmoni të plotë me legjislacionin dhe në pajtim me marrëveshjen me Qeverinë Britanike, e cila ofron mbështetje institucioneve në procesin e rekrutimit të pozitave të larta.

Agjencia e Punësimit do të fuqizojë edhe më tepër politikat e punësimit, ndërsa viti 2017 do të jetë edhe më premtues.

Gjatë 2 viteve punë, shërbimi i punësimit, identifikoi 25,643 vende të lira pune, një ngritje prej mbi 200 për qind, krahasuar me vitin 2014 dhe 2016. “Në fakt vitet 2015 dhe 2016 shënojnë regjistrimin më të lartë të vendeve të lira të punës të regjistruara nga shërbimi punësimit në dhjetë vitet e fundit”, thuhet në njoftim.

“Në dy vite ndërmjetësuam në punësim mbi 12,928 punëkërkues dhe filluam masat aktive të tregut të punës, si subvencionimi pagave, trajnimi në punë, grantet, trajnimet në Qendrat e Aftësimit Profesional, si dhe lehtësuam punësimin në Gjermani dhe heqjen e lejeve për punësim në Shqipëri”, thuhet më tej në të njëjtin njoftim të Zyrës për Komunikim Publik të MPMS-së.