Gabimet në përkthim, Gjykata Kushtetuese i dërgon përsëri Venecias draftin për Vetingun

30.11.2016 22:23:06

Pasditen e sotme Gjykata Kushtetuese i ka ridërguar Komisionit të Venecias një tjetër version të ligjit të Vetingut në gjuhën angleze, pasi herën e parë ishte dërguar me gabime në përkthim. Kryetari i PD Lulzim Basha tha sot se kopja e parë kishte gabime dhe do të kërkonte që Venecias t’i dërgohej edhe njëherë kërkesa.

Varianti i parë që sipas PD kishte terma të gabuar ishte hartuar nga EURALIUS, ndërsa pas vërejtjeve nga demokratët, Gjykata Kushtetuese kontaktoi përkthyes të licencuar pranë Ministrisë së Drejtësisë, të cilët bënë korrigjimin e termave të gabuara.

Ky draft i dytë ku i kërkohet mendim Komisionit të Venecias për ligjin e Vetingut iu dërgua sot pasdite dhe komisioni pritet të shprehet gjatë mbledhjes në datën 9 dhe 10 dhjetor.

ABC News raporton duke cituar burime nga Partia Demokratike se nuk është problem vetëm përkthimi në anglisht i ligjit, por edhe i Kushtetutës. Për këtë arsye, këshilltarët ligjorë të Partisë Demokratike kanë përgatitur dhe vet një letër për Komisionin e Venecias.