Gashi: Në fjalimin e Frashër Krasniqit u vërejt qasje agresive

02.03.2018 20:06:11

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, mbajti mbledhje të jashtëzakonshme pasi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kishin dërguar një mocion për shkeljen e rregullores së Kuvendit nga Kryetari Kuvendit Kadri Veseli ndaj deputeti Frashër Krasniqit.

Edhe pse në komision nuk kishte kuorum për të marr një vendim në lidhje me këtë mocion, kryetarja e këtij komisioni Albulena Haxhiu, tha se nuk është hera e parë që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shkelur rregulloren e institucionit që e kryeson.

Ajo tha se krye kuvendari pa asnjë të drejtë ia ndaloi fjalën Frashër Krasniqit, duke thënë se në fjalimin e deputetit nuk kishte fjale fyese.

“Ka kohë që kryetari i Kuvendit e shkel rregulloren dhe nuk jep përgjegjësi. Sot ndodhi shkelja e radhës ku pa asnjë të drejtë e ndërpreu fjalën e Krasniqit. Në fjalët e deputetit nuk kishte fjalë fyese por fjalë parlamentare. Nuk ka kuorum për të marr një vendim, por të martën do të mblidhemi për t’i kërkuar Veselit që të tërhiqet nga veprimi që ka bërë.”, tha Haxhiu.

Kryetarja e komisionit Haxhiu po ashtu tha është e papranueshme se si ai i është drejtuar shefit të grupit parlamentar, Glauk Konjufcës pasi sipas saj ka edhe fjalë të tjera që i ka dëgjuar.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se e ka dërguar këtë mocion në këtë Komision për tu evidentuar të gjitha problematikat në lidhje me interpretimin e Rregullores së Kuvendit.

Ndërsa anëtari i këtij komisionit nga radhët e LDK-së, Arben Gashi tha se tek deputeti Frashër Krasniqi u vërejt një qasje agresive.

“Mënyrën se si deputeti Krasniqi e filloi ishte një tendencë konfliktuoze”, theksoi Gashi.

Ai po ashtu tha kryetari i Kuvendit duhet të respektoj rregulloren duke ndjek kështu sipas tij hapat për të ardhur deri tek ndërprerja e fjalës.

“ Kryetari i Kuvendit duhet të tërheq vërejtjen, të kërkoj të lëshoj foltoren dhe pastaj t’ia ndërpres fjalën. Janë disa rregulla që duhet bërë paraprakisht. Kemi pasur raste edhe më të dhunshme në Kuvend, ku janë sulmuar kryeministrat etj, e Veseli nuk ka marr asnjë masë, ndërkohë që ne ishim objekt i sulmit”, tha tutje Gashi.

Ndryshe, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi me të marrë fjalën në seancën e Kuvendit të Kosovës, iu është ndërprerë nga kryeparlamentari Kadri Veseli.