Gashi në Vjenë lobon për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

31.08.2018 16:17:58
Ministri i brendshëm, Bejtush Gashi, po qëndron në një vizitë zyrtare për Austri, ku është pritur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë, Peter Goldgruber.

Në këtë takim është biseduar për tema të cilët kanë të bëjnë me migrimin, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, liberalizimin e vizave si dhe për përfshirjen e Policisë së Kosovës në organizatën Interpol.

Me këtë rast, Gashi falënderoi Qeverinë e Austrisë për mbështetjen e Kosovës në proceset e integrimit euro-atlantik, si dhe për përkrahjen ndaj institucioneve të Kosovës në forcimin e kapaciteteve.

Sipas tij,  terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm vazhdojnë të mbeten një nga kërcënimet kryesore të sigurisë, duke kërcënuar jo vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike dhe vetë mënyrën e jetës së shoqërisë. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuara për të dhënë ndihmën e tyre për t’i luftuar këto fenomene.

Gjithashtu, Gashi tha se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është i domosdoshëm për të garantuar dhe forcuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë të Punëve të Brendshme të Austrisë, Peter Goldgruber konfirmoi mbështetjen e shtetit austriak në përmbushjen e objektivave në proceset e integrimit euro-atlantik.