Në banesën e gazetares: Familjarët tregojnë për tmerin, hedhin dyshime për sulmin

31.08.2018 16:27:35
Një ditë pas të shtënave me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, në Laknas, fshat pak kilometra larg Tiranës, vihet re një prani e madhe policësh si dhe oficerësh që po hetojnë ngjarjen.

Në shtëpinë e gazetares Lala ka njerëz. Babai është i ulur në verandën e shtëpisë, me dy oficerë policie që e pyesin për detaje.

Antoneta Lala, motra e Klodianës, thotë: “Ky sulm nuk ka lidhje me babain apo me mua. Mendoj se ka lidhje me motrën sepse nuk është hera e parë që ndodh. Ka pasur edhe kërcënime të tjera”.
U aludua se ngjarja lidhet me detyrën e të vëllait të gazetares, Rexhepit, i cili ka punuar prej 4 vjetësh si specialist në burgun e Fushë-Krujës dhe prej 3 javësh si jurist në burgun e Krujës. Por, për familjarët e saj ky variant nuk qëndron.
“Nuk e di se çfarë aludojnë mediat, por im vëlla nuk ka pasur probleme kurrë”, thotë Antoneta.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së enjtes. Po atë natë, shumë afër familjes Lala zhvillohej edhe një dasmë dhe të shtënat u mendua se vinin prej andej.
“Babai doli jashtë për të parë, por është errësirë këtu. Më vonë babai ka parë gëzhojat”, tregon motra e gazetares.
Antoneta tregon se në shtëpi kishte shumë njerëz atë natë: “Dy vajzat e Klodianës, babai, nëna dhe dy mysafirë. Nuk mendoj se kanë dashur të vrasin njeri, pasi po të donin, do të kishin vrarë”.
Familja Lala ka 20 vjet që jeton në Laknas: “Nuk kemi frikë, nuk i kemi kujt borxh, kështu që nuk do të largohemi këtu. Vetëm u kërkoj që të mos krijojnë terror te fëmijët”.
Banorët e fshatit shprehin shqetësim dhe pasiguri për jetën, pas kësaj ngjarjeje.
“Nuk është e sigurtë jeta kështu. Të të vijë tjetri me armë te dera, është e frikshme”, thonë banorët.

Top Channel