Gashi: Për rastin si të Rikalos, shqiptari po mbahet në paraburgim

16.09.2017 19:35:18

Agim Sahitaj, shqiptar i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është në paraburgim që nga 8 gushti i 2017-ës me dëshmi të njëjta si dëshmitë ndaj Ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo.

Kështu ka thënë avokati i njohur, Tomë Gashi, i cili thekson se deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në Prokurorinë Speciale 17 vite pas luftës e dërguan në paraburgim Agim Sahitajn.

“Shumë deklarata të dëshmitarëve të dhëna këto ditë për të bëmat e Nenad Rikallos gjatë luftës në Kosovë nuk e bindën Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës që ta marrin në pyetje si të dyshimtë, ta arrestojë e lë me ta kërkojë paraburgimin e tij”, ka thënë Gashi në një postim në Facebook.

Trajtimi i të dyshimtëve shqiptarë dhe trajtimi i të dyshimtëve serbë për çështje të njëjta “as tek Prokurorët shqiptarë nuk ka trajtimin e njëjtë”.

“Serbët gjithmonë mbesin të privilegjuar”, thekson Gashi.

“Mund të jetë se ‘gabimi’ më i madh i Agim Sahitajt është përkatësia nacionale se po të ishte ai serb, me dëshmitë që janë kundër tij, ai sot do të ishte i lirë”, shkruan më tej avokati i njohur.

“Morali ynë, si shqiptarë dhe posaçërisht ruajtja e moralit të femrës shqiptare të dhunuara gjatë luftës në Kosovë mund të jenë avokati më i mirë i të gjithë serbëve që kanë dhunuar femra shqiptare gjatë luftës. Femrat shqiptare gjithmonë e kanë shumë vështirë, thuajse të pamundur që publikisht të dëshmojnë se janë dhunuar nga serbët për shkak të rrethanave kulturore. Disa prej të dhunuarve tani janë të martuara…”, ka përfunduar avokati Gashi.