Gashi: Shumë palë në Kosovë e kanë parë Gjykatën Speciale si nevojë për qërimin e hesapeve politike

23.09.2020 22:07:44

Analisti Astrit Gashi ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen pozicionin e Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi dhe “dosjet” e Gjykatës Speciale.

Gashi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se politikanët e Kosovës kanë përgjegjësi për zhvillimin ekonomik e luftimin e korrupsionit por jo edhe për diplomacinë.

“Në raport me pozicionin tonë ndërkombëtarë ne fajin e ndajmë me shtetet që na kanë mbrojtur ndërkombëtarisht. Fakti që Kosova nuk është çështje e kryer globalisht është faj i miqve ndërkombëtarë. Faji i politikanëve tonë është që në momente të caktuara janë përkulur para ndërkombëtarëve më tepër se që duhet”, tha ai.

Duke folur për raportet me Amerikën,  Gashi thotë se Trump është në proces elektoral dhe sipas tij ai edhe raportet Kosovë-Serbi i përdorë në favor të fushatës së tij elektorale.

Analisti ka thënë se puna e Gjykatës Speciale më shumë është parë si nevojë e brendshme e betejës politike në Kosovë.

“Shumë palë e kanë konsideruar Specialen si nevojë për qërimin e hesapeve politike, që unë mendoj se ka qenë e padrejtë”.

Ai ka thënë se problemet aktuale politike nuk duhet të zgjidhen duke marrë argumente historike.

Gashi thotë se Albin Kurti nuk është i gatshëm të votojë në shpërbërjen e Gjykatës Speciale.

“Si Kurti ashtu edhe një pjesë e LDK-së kanë menduar se Gjykata Speciale do të eliminojë disa akterë politikë në Kosovë”, deklaroi ndër të tjera Astrit Gashi.