Gati 115 mln euro për Messi-n

17.01.2017 18:52:51

Manchester City nuk heq dorë nga dëshira për të sjellë në “Ettihad Stadium” Lionel Messin. Sipas asaj që publikon tabloidi britanik “The Sun”, klubi anglez ka hyrë në kontakte me drejtuesit e Barcelonës për të bërë të ditur interesin për blerjen e kartonit të sulmuesit 29-vjeçar.

Pavarësisht se nuk ekziston ende një ofertë formale, Citizens janë gati të paguajnë 115 milionë euro e ndoshta të kalojnë edhe shifrën e 120 milionë eurove që Manchester United pagoi për Paul Pogba, për të bindur klubin katalanas që të lejojë transferimin e futbollistit ne Angli.

“The Sun” thekson gjithashtu se drejtuesit e Barcelonës kanë refuzuar të vendosin një çmim për Messi-n, por gjithsesi e kanë dëgjuar propozimin e bërë nga klubi anglez, veprim që ka rritur shpresat tek Manchester City.

Lionel Messi ka një kontratë me Barcelonën që skadon në vitin 2018 dhe Manchester City është gati t’i ofrojë atij një të re me një pagë prej 900 mijë euro në javë.