Gati shenjtërimi i Nënës Tereze

04.09.2016 09:50:32

Kur ishte gjallë, Nënë Tereza cilësohej si “një shenjtore e gjallë”, sot pas 19 vjetësh nga vdekja e saj merr zyrtarisht këtë titull gjatë ceremonisë në sheshin San Pietro në Vatikan.

“Do të jetë një gëzim i madh ta shikojmë shenjtore, e meriton”, janë fjalët e Papa Françeskut, në prag të ceremonisë së shenjtërimit.

Data 4 shtator do të shënohet në kalendarin Apostol si Dita e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.

Papa Françeksu firmosi në 15 mars 2016 dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës.

Papa Françesku miratoi në dhjetor të 2015 një dekret për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të Nënë Terezës me Perëndinë.

Ndërsa në vitin 2008 Papa Françesku ka pranuar një mrekulli të dytë që i atribuohet Nënë Terezës atë të shërimit të një mashkulli brazilian me tumor në kokë.

Nënë Tereza, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.

Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe dinjitetin e të varfërve u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e Mëshirë për të gjitha krijesat e veta.