Gecaj, Ahmetit: Po sikur t’ia digjnin veturën gruas tënde, çfarë do të bëje

28.09.2016 20:52:35

Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ka reaguar për sjelljen e ashpër të kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ndaj grave banore në banesat e uzurpuara në ‘Dardani’, të cilat i shkuan Ahmetit te shtëpia e tij

Gecaj i ka dhënë të drejtë Lirak Çelajt nga PDK, i cili tha se Ahmeti “ra në gropën që e ka hapur vet”, duke aluduar në protesta e VV-së te shtëpia e kryeministrit Isa Mustafa, transmeton lajmi.net

Gecaj ka pyetur se çfarë do të bënte Ahmeti, nëse ato gra do t’i hidhnin vezë apo t’ia vënin flakën veturës së gruas së tij.

“A e ka dikush idenë se si do të reagonte ky “trim” sikur ato gra ti hidhnin ve, sprej, gaz lotsjellës, koktej molotovi, t’ia vënin flaken veturës së gruas së tij, e shumë e shumë nga metodat tjera të dhunës të cilat i kanë ushtruar Brigadat e tyre të Kuqe? Po sikur ky të jetë vetëm fillimi”, ka shkruar Gecaj.

Reagimi i plotë i tij:

SHPEND AHMETI: PO SIKUR KY TË JETË VETËM FILLIMI…

Lirak Çelaj ka plotësisht të drejtë kur konstaton se Shpend Ahmeti ra në gropën e vet dhe se protesta tek shtëpia e tij private është mënyra të cilën e filluan ata vetë, pra janë metodat “autoktone” të Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes (LAV). Të gjithë pamë e dëgjuam si ishte nevrikosur i pari i Prishtinës deri në masën e ofendimit të grave e fëmijëve protestues para shtëpisë së tij. A e ka dikush idenë se si do të reagonte ky “trim” sikur ato gra ti hidhnin ve, sprej, gaz lotsjellës, koktej molotovi, t’ia vënin flaken veturës së gruas së tij, e shumë e shumë nga metodat tjera të dhunës të cilat i kanë ushtruar Brigadat e tyre të Kuqe? Po sikur ky të jetë vetëm fillimi