Gecaj: Ëndrra e kthimit të Serbisë në Kosovë ka perënduar

20.01.2017 16:10:16

Kryeministri i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq vazhdon të thur plane kundër qeverisë dhe shtetit të Kosovës.

Vuçiq së fundmi ka bërë të ditur se si prioritet e konsideron rrëzimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës.

E një gjë të tillë po e mbështet edhe Lista Serbe të cilët insistojnë që më së largu në muajin mars të ketë zgjedhje të reja në Kosovë.

Për një plan të tillë të Serbisë janë në dijeni edhe në Qeverinë e Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Telegrafin, Bajram Gecaj zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës, përkatësisht në Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal.

“Po, në bazë të informatave tona, Vuçiq dëshiron rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, dhe për këtë gjë ka vënë në lëvizje të gjithë faktorët e saj në Kosovë. Kjo lidhet me idenë që të futet Kosova në një proces zgjedhor, që duke pas parasysh edhe rivalitetin politik, mund të prodhojë tensione brenda partive shqiptare, të cilat do të krijonin terren të përshtatshëm për veprimin e tij në veri, si dhe dobësimin substancial të Prishtinës karshi Beogradit”, ka thënë Gecaj.

Ai ka shtuar se një tjetër skenar është edhe mundësia që pas zgjedhjeve në Kosovë, vendi të zhytet në ndonjë lloj ngërçi shumë-mujor, si ai i pas zgjedhjeve të kaluara, duke e lënë Kosovën pa institucione legjitime për të quar përpara procese të rëndësishme siç janë demarkacioni me Malin e Zi dhe krijimi i Ushtrisë, çka njëkohësisht edhe do të forconte pozitat e Listës Serbe në Qeverinë e ardhshme.

“Ky do të ishte rast i mirë për largimin nga Lista Serbe të disa të pabindurve, që së fundi, pa e pyetur Vuçiqin, e shkarkuan nga posti i ministrit të MAPL-së ministrin e mëparshëm, Lubomir Mariq, duke betonuar kështu përfundimisht pozitat e tija në këtë listë”, tha Gecaj.

Gecaj ka shtuar se beson që plani i Serbisë për rrëzimin e qeverisë nuk do të ndodhë.

“Serbia ka qenë gjithherë destruktive karshi Kosovës, por është vendosmëria e popullit dhe institucioneve të Kosovës e cila i ka penguar këto plane, dhe unë besoj fuqishëm që kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen”, u shpreh Gecaj.

I pyetur se cila do të jetë mënyra me të cilën do t’i kundërpërgjigjet Qeveria e Kosovës këtij plani të Vuçiqit, Gecaj shoti se besojnë se dialogu nuk është alternativë dhe se do të punojnë me partnerët ndërkombëtar.

“Ne besojmë se dialogu nuk ka alternativë. Do të punojmë ngushtë me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë në shtyrjen përpara të këtij dialogu dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve të ndërsjella sa më parë, pasi që ëndrra e kthimit të Serbisë në Kosovë ka perënduar, dhe sa më parë që ta kuptojë këtë edhe Serbia, aq më parë ne do t’i normalizojmë marrëdhëniet tona të ndërsjella”, theksoi Gecaj.

Dëshirën e Serbisë për ta rrezuar Qeverinë e Kosovës më së largu deri në mars e kanë thënë edhe publikisht Aleksandar Vuçiq dhe Aleksandër Vulin, për mediat serbe.