Gëzim Kelmendi: Vetëvendosje i mashtroi myslimanët

27.06.2017 19:43:33

Partia Fjala mori një për qind të votave në zgjedhjet e 11 qershorit, duke mbetur kështu jashtë Kuvendit. Kreu i kësaj partie, Gëzim Kelmendi tregon planet e Fjalës, duke bërë të ditur nëse do t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër.

Ai flet edhe për deklaratat e zyrtarëve të Vetëvendosjes që, sipas tij, po e ofendojnë komunitetin mysliman në Kosovë, dhe jo vetëm atë.

Gëzim Kelmendi, për Gazetën Express, thotë se pavarësisht pamundësisë së kalimit të pragut zgjedhor –  që edhe më tutje e sheh si padrejtësi ndaj Fjalës, – motivi në partinë e tij nuk po mungon. Ai tregon se strukturat partiake po përgatitën dhe janë të fokusuara në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

“Jemi duke u përgatitur për zgjedhje lokale të motivuar të vazhdojmë edhe më të fuqishëm këtë rrugëtim politik”, thotë Kelmendi.

Kreu i Fjalës ka folur edhe për deklaratat e disa nga zyrtarëve të Vetëvendosjes që, sipas tij, fyejnë komunitetin islam në vend.

“Jo vetëm fyese për qytetarët e besimit islam, por janë në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Ato nxisin urrejtje ndërfetare. Pres nga Prokuroria t’i hetojë këto deklarata”, thotë ish-deputeti për deklaratën e Sadri Ramabajës dhe të zyrtarëve të tjerë të VV’së.

Kelmendi tregon se nuk ka qenë vetëm Ramabaja nga VV që përdori gjuhë të urrejtjes ndaj myslimanëve, pasi që, sic thotë kreu i Fjalës, së fundmi ka pasur edhe zyrtarë të kësaj Lëvizje që kanë nxitur urrejtje ndërfetare.

“Distanicmi i VV’së ka qenë distancim kozmetik, në këtë rast Vetëvendosje është dashur edhe të dënoj deklaratat e tij”, thotë Kelmendi.

Ai ka përmendur fushatën zgjedhore, në të cilën, sipas Kelmendit, Vetëvendosje promovoi vlerat fetare, e këtë sipas tij, e bëri vetëm për përfitim të votave.

“VV nuk e ka luajtur rolin e partisë që është proklamuar gjatë fushatës. Ka promovu vlerat e fesë, përfshirë edhe mbulesën dhe lejimin e saj, vetëm sa për t’i përfituar votat e qytetarëve të besimit islam”,  thotë ish-deputeti.

“Pas zgjedhjeve doli që të gjitha ato të ishin farsë, pasi që VV po hesht në deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të saj”, shtoi Kelmendi.

Kreu i Fjalës pret nga Vetëvendosje, jo vetëm distancim, por edhe ta dënojë këtë gjuhë të urrejtjes, që sipas tij, rrezikon tolerancën ndërfetare në vend.