Ymeri e Kurti qëndrojnë në Bruksel, zotohen për intensifikimin e raporteve me BE-në

27.06.2017 19:41:24

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Visar Ymeri dhe i nominuari i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti, kanë takuar sot në Bruksel eurodeputetin socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Picula.

Kurti dhe Ymeri, gjatë qëndrimit në Bruksel, kanë takuar dhe përfaqësuesit e zyrës së Komisioneres së lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme, shefen e Kabinetit Fabrizia Panzetti dhe këshilltaren e kabinetit Ana Maria Baura.

Në komunikatën e VV-së të dërguar për media thuhet se gjatë ditës së parë të vizitës në Bruksel, “gjatë takimeve është diskutuar krijimi i Qeverisë së re në Republikën e Kosovës dhe domosdoja e ndryshimit të kursit politik dhe qeverisës të Kosovës, zhvillimit ekonomik që sjellë punësim, sundimin e ligjit që lufton krimin e korrupsionin dhe politikat sociale që zbusin pabarazinë”.

Më tutje aty thuhet se përfaqësuesit e Komisionit dhe Parlamentit evropian u deklaruan se këta të fundit, do ta pranojmë secilën qeveri demokratike që ka shumicën në Kuvend.

“Përfaqësuesit e Vetëvendosjes shprehën zotimin për intensifikimin e bashkëpunimit drejt integrimit në BE si dhe për bashkëpunimin rajonal sipas parimeve të fqinjësisë së mirë dhe reciprocitetit në marrëdhënie”, ka përfunduar komunikata.