“Gift of Life” ka mundësuar operimin falas të 150 fëmijëve nga Kosova

02.10.2020 21:30:18

Sëmundjet e zemrës te fëmijët nuk mund të trajtohen plotësisht në Kosovë, prandaj njerëz të vullnetit të mirë u kanë dalë në ndihmë shumë familjeve kosovare duke i dërguar për operim jashtë vendin më shumë se 150 fëmijë që nga viti 2009.  

Që nga viti 2009 doktor Mazllum Belegu, nëpërmjet organizatës “Gift of Life”, ka bërë të mundur që fëmijët me probleme në zemër, të operohen falas, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Belegu thotë për RTV Dukagjinin se puna që ai bën është sfidë e cila shpaguhet atëherë kur fëmijët i rikthehen jetës të shëndetshme.

“Ne e kemi një rast që e kemi dërguar tre herë në Izrael. E ka pasur shumë formën e rëndë të defektit të zemrës. E kanë operuar njëherë dhe e kanë thënë se do të vazhdohet edhe vitin tjetër. Të shohësh sot atë fëmijë nuk mund ta krahasosh me atë çfarë ka qenë më herët”, deklaron për RTV Dukagjinin, Mazllum Belegu.

Ndërkohë, nga New York-u, Albana Krasniqi anëtare e bordit të “Gift Of Life International” dhe koordinatore e kësaj organizate për Kosovën, thotë se misioni është ndikuar nga pandemia, por që nuk do të ndalë punën.

“Sapo të na jepet mundësia, të na jepet leja nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, leja nga OBSH ne do të vazhdojmë misionet. Në fakt misioni ishte i paraparë në mars, i dyti në shtator dhe i treti në tetor. Për fat të keq nuk kemi data kur do të vijmë në Kosovë por në momentin kur të hapen rrugët do të vijmë dhe do i vazhdojmë misionet tona”, deklaroi Albana Krasniqi.

“Gift of Life International” është organizata që ka ndihmuar më shumë se 37 mijë fëmijë nga 80 vende të ndryshme në botë që të marrin trajtim për sëmundjet e zemrës./RTV Dukagjini