Ministrja Hoxha takoi ambasadorin francez, Didier Chabert

13.10.2016 14:58:40

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, priti sot në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e deritashëm në lëmin e drejtësisë dhe mundësinë e thellimit të tij.

Ministrja Hoxha përgëzoi z. Chabert për emërimin e tij në krye të misionit diplomatik francez në Kosovë dhe falënderoi për përkrahjen e deritashme në lëmin e drejtësisë.

“Çmojmë lartë përkrahjen në lëmin e drejtësisë nga Republika e Francës në drejtim të sundimit të ligjit dhe fuqizimin e shtetit ligjor, si segment thelbësor në rrugën tonë euro integruese”, theksoi ministrja Hoxha.

Ambasadori Chabert, e falënderoi Ministren Hoxha për vlerësimin e lartë të bashkëpunimit të deritashëm bilateral dhe rikonfirmoi vazhdimin e tij duke e thelluar dhe pasuruar.

Ministrja Hoxha dhe ambasadori Chabert vlerësuan se bashkëpunimi në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës, ka mundësi të thellohet, në veçanti për ndihmën juridike ndërkombëtare, si dhe për çështjet penale.