Giuseppe Conte: Nuk e dimë se kur do të përfundojë karantina, duhen respektuar rregullat

05.04.2020 18:52:33

Kryeministri italian Giuseppe Conte e pranon se në Itali nuk e dinë se kur do t’i japin fund karantinës. Por ai shtoi se masat që shteti ka marrë kanë dhënë rezultat.

“Në këtë moment nuk mund të them kur do të përfundojë bllokimi. Ne po ndjekim indikacionet e komitetit shkencor por Italia ishte vendi i parë që u përball me urgjencën. Përgjigja jonë ishte ndoshta jo e përsosur, por ne kemi bërë më të mirën bazuar në njohuritë tona. Vlefshmëria e masave tona është njohur nga OBSH-ja dhe rezultatet tregojnë se ne jemi në rrugën e duhur”, tha Conte për rrjetin amerikan Nbc News.

Ai kujtoi se italianët kanë qëndruar në shtëpi dhe kanë dalë vetëm kur ka qenë e domosdoshme.

“Mesazhi më i rëndësishëm për t’u dhënë qytetarëve tanë ka qenë të rrinë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur. Dhe nëse ka nevojë të dilni, për punë ose të bëni pazar, respektoni rregullat e sigurisë. Ne po kërkojmë një sakrificë të madhe për popullin tonë, unë jam i vetëdijshëm për të, por kjo është mënyra e vetme. Sa më shumë t’i respektojmë rregullat, aq më shpejt do të dalim nga urgjenca”, tha kryeministri duke shtuar “Që nga fillimi i pandemisë, Italia e ka vendosur shëndetin publik në krye të prioriteteve. Zgjedhjet tona politike janë bazuar në prova shkencore. Është thelbësore të zbatohen këto vendime në transparencë të plotë, për të siguruar shëndetin e tyre. Ky është modeli“.