“Gjahu” i pasuksesshëm dyjavor për Demarkacionin

09.03.2018 10:29:36

Kanë kaluar më shumë se dy javë prejse koalicioni qeverisës ka nisur rrugëtimin për ta ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit.

Por, pos dështimit qysh në tentimin e parë për ta përmbyllur këtë marrëveshje (22 shkurt) koalicioni qeverisës nuk arriti ta ratifikojë Demarkacionin as në dy përpjekjet pasuese (23 e 28 shkurt).

Pavarësisht këtyre, ende nuk është caktuar se kur do të mbahet vazhdimi i seancës për t’i dhënë epilog Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, shkruan “Zëri”.

Përkundrazi, ndonëse nga Kryesia e Kuvendit kanë thënë se seanca mund të mbahet sot ose javën që vjen, kanë njoftuar se ende nuk ka ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.

Megjithëkëtë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se partnerët e koalicionit janë duke punuar për ta arritur një konsensus të gjerë politik.

Sipas tij, madje ka edhe deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” që kanë shprehur vullnetin për ta mbështetur marrëveshjen në fjalë.