Gjenden municione në digën e rezervuarit të Divjakës, pezullohen punimet

15.10.2016 09:16:12

Punimet për rikonstruksionin e digës së rezervuarit të Divjakës, kanë rezultuar edhe me gjetjen e një sasie municionesh luftarake, si predha, granata e fishekë.

Për këtë arsye, Bordi i Kullimit në Fier, ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve nga firma kontraktore, si dhe ka njoftuar në mënyrë urgjente, Drejtorinë e Policisë Fier, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave.

“Nga informacioni i marrë zyrtarisht, sot më 14.10.2016, nga firma zbatuese e punimeve BE-IS shpk, e cila ka lidhur kontratën e sipërmarrjes së punimeve për Rikonstruksionin e Objektit të Rezervuarit të Divjakës, rezulton se gjatë zbatimit të punimeve në fazën e zbrazjes së rezervuarit, janë vërejtur municione luftarake si  granata dhe fishekë.

Në rrugë telefonike kemi orientuar firmën zbatuese që të bëjë pezullimin e punimeve, deri në një moment konfirmimi dhe zgjidhje të situatës. Në mënyrë që të mos vihet në rrezik jeta e punëtorëve në objekt, e njerëzve të zonës përreth,  kërkojmë ndihmën e specialisteve që janë në varësinë e dikasterit tuaj, për vlerësimin e risqeve potenciale që ndodhen në këtë zonë, si dhe konfirmimin tuaj për rifillimin e punimeve në këtë objekt”, thuhet në shkresën dërguar sot Drejtorisë së Policisë Fier, Ministres së Mbrojtjes Kodheli dhe Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti.