Gjeneral Rrahim Ademi: Si e mposhta Ratko Mlladiqin afër Shibenikut?

23.11.2017 10:39:28

Ratko Mlladiqi e filloi fushatën e krimeve në Kroaci, por atje u ballafaqua me forcat e komanduara nga gjenerali i Kroacisë Rrahim Ademi, i lindur në Kosovë. Për «Al Jazeera Balkans» Ademi ka treguar detaje të panjohura deri më tani.

Nga Sylejman Morina

Kur filloi kriza e madhe në Jugosllavi në fillim të viteve ’90, oficeri i Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) Ratko Mlladiq shërbente në Maqedoni. Nga atje e dërguan në Prishtinë, por meqë në kryeqytetin e Kosovës nuk shpërtheu lufta, siç prisnin nacionalistët serbë, Mladiq u dërgua në Kroacia për të organizuar kryengritjen e serbëve të Bosnjës. Në Krajinë, një zonë e banuar me shumë serbë në Kroaci, trupat paramilitare serbe dhe policia lokale të mbështetura nga njësitë e APJ-së nen komandën e Mlladiqit terrorizuan mijëra kroatë në përpjekje për të depërtuar drejt bregdetit kroat, sidomos qyteteve të rëndësishme strategjike si Zara, Sinji dhe Shibeniku.
Në vitin 1991 Mlladiq i ishte afruar cakut: pushtimit të Shibenikut. Por, gjenerali serb nuk arriti të depërtojë më tutje, sepse te ura e Shibenikut atë e priste gjenerali kroat Rrahim Ademi, ish-oficer i lartë i APJ-së, i cili i ishte bashkuar ushtrisë kroate. Ademi është lindur në Kosovë dhe konsiderohet si njëri nga komandantët më të famshëm të luftës së Kroacisë për pavarësi. Nga Tribunali i Hagës ai u akuzua për krime të luftës dhe i shoqëruar nga presidenti Stipe Mesiq ai u dorëzua vullnetarisht. Pastaj Tribunali ia dorëzoi lëndën drejtësisë kroate, e cila e shpalli Ademin të pafajshëm.
Në një bisedë me «Al Jazeera Balkans» Ademi ka treguar detaje deri më tani të panjohura për betejën e tij kundër trupave të Mlladiqit. Sipas tij po të merrte Mlladiqi Shibenikun, atëherë për forcat e tij do të hapeshin korridore për të marshuar drejt Splitit dhe për të pushtuar tërë Dalmacinë. Ademi e konsideron mbrojtjen e Shibenikut si njërën prej fitoreve më të mëdha kroate në luftë. Kjo ishte humbja e parë e Mlladiqit në Kroaci. Ademi i tha «Al Jazeera Balkans» se ushtria e Mlladiqit ishte e modernizuar, me tanke, «ndërsa ne në atë kohë s0kishim me çfarë të mbroheshim. Pastaj organizova zaptimin e kazermës në Rogoznicë, ku arritëm të marrim armatim të rëndë dhe topa dhe aty brenda natës krijuam njësi të topave dhe vendosëm mbrojtjen te Shibeniku. Kështu e mbrojtëm Shibenikun, pastaj shkuam tutje nja 25 kilometra pas Vodicës në drejtim të Gaçelezit dhe kështu arritëm zhbllokimin e Shibenikun. Kjo ishte humbja e tij dhe si ushtar mendoj se ajo ka qenë fitorja më e madhe e ushtrisë kroate dhe e para fitore në luftën për atdhe, në luftën për Shibenikun».
Ademi tha se nuk e kishte takuar kurrë Mlladiqin, «shyqyr zotit», sepse për të mendon më së keqi. «E kemi shikuar njëri-tjetrin vetëm përmes nishanit dhe në çdo sulm kundër Shibenikut ai i ka thyer dhëmbët». «Mund të them se ai nuk ka qenë kurrfarë ushtari. Ai s’ka treguar kurrë shkathtësi luftarake, ai ka treguar <trimëri> ndaj civilëve të pafajshëm, duke vrarë civilë dhe njerëz të paarmatosur. Sa i përket betejave përherë ka qenë humbës i madh, dhe personaliteti i tij vërehet në Shkabërnja – ku ka vrarë civilë – dhe në Srebrenicë. Ky është turpi i tij më i madh, ka kryer krim lufte ndaj civilëve, jo njëherë, por shumë herë». Sipas Ademit kudo ku Mlladiq përballej me rezistencën e forcave kroate, tërhiqej shpejt.