Gjermani, akademiku Nazim Gruda flet për potencialin e bimëve mjeksore dhe eterovajore në Shqipëri

10.03.2017 14:34:20

Në takimin më të madh evropian gjermanofolës për bimët mjekësore dhe eterovajore, të organizuar më 21-22 shkurt në Bernburg të Gjermanisë, ishte i ftuar edhe akademiku Nazim Gruda.

Ai referoi mbi “Potencialin e bimëve mjeksore dhe eterovajore në Shqipëri, njoftoi Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në këtë prezantim z. Gruda tregoi rëndësinë e bimëve mjeksore për vendin, p.sh. si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor, por edhe problemet a sotme në vjeljet shpeshhere pa kriter e pa zbatuar “praktikat e mira të mbledhjes bujqësore”, problemet në selitjen e këtyre bimëve në siperfaqet, që sa vijnë e zgjerohen si edhe ato të pasvjeljes. Problemet e sotme janë potenciali egzistues i rritjes jo vetem të sasisë, por mbi të gjitha i cilësisë së tyre në të ardhmen – theksoi ai.

Në këtë takim nuk mungoi edhe një paraqitje letrare. Analizën e tij të thellë shkencore ai e mbylli me vargjet e Naim Frashërit. Duke elektrizuar sallën e mbushur plot e për plot me studiues e përfaqësues së industrisë së bimëve mjeksore dhe eterovajore, ai theksoi se sa aktual janë keto vargje edhe sot e kësaj dite për ruajtjen e biodiversitetit. Por jo vetem kaq, vargjet “Veilchen, du schöne, warum hebst du nicht den Kopf?” janë edhe një metafore poetike, që simbolizojne Shqiperinë e vogël, që dalëngadalë po e “ngre kryet përpjete” – tregoi ai.

Akademik Nazim Gruda i ftoi të pranishmit të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje, p.sh. përmes projekteve evropiane shkencore e zhvillimore për ruajtjen e arealeve të bimëve të vendit si dhe kultivimin me kritere bujqësore të tyre. Ruajtja dhe kultivimi i qëndrueshëm nuk janë vetëm problem i një vendi, por i yni, i tërë komunitetit shkencor – theksoi ai. Duartrokitjet në fund të referimit të tij si edhe diskutimet gjatë këtij takimi, janë tregues të zhvillimeve pozitive, që priten në të ardhmen në këtë sektor kaq të rëndësishëm të bujqësisë shqiptare. Kërkohet që këto zhvillime të bashkërendohen edhe me institucione përkatëse në vend.