Kushtetuesja shkarkon presidenten, Koreja e Jugut në kaos dhe tension

10.03.2017 14:46:46

Gjykata Kushtetuese koreanojugore ka aprovuar në unanimitet shkarkimin e presidentes Park Geun-hye, pasi ajo u përfshi në një skandal korruptiv që e ka zhytur vendin në trazira.

Vendimi unanim i Gjykatës do të thotë se ajo mund të përballet me akuza kriminale.

Ky vendim bën që 65-vjeçarja të bëhet liderja e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike, të largohet nga posti i presidentit para përfundimit të mandatit.

Koreja e Jugut duhet të organizojë zgjedhje të reja brenda dy muajsh për të zgjedhur pasardhësin e Park. Park vazhdimisht ka kërkuar falje për skandalin por ka mohuar se ka kryer ndonjë krim.

Pas këtij vendimi, në Seul janë rritur tensionet, ku janë verifikuar përplasje mes policisë dhe mbështetësve të Park, mes të cilëve janë të paktën dy viktima.

Sipas mediave të Seulit, 20 mijë agjentë janë në mbrojtje të godinës së Gjykatës Kushtetuese dhe në zonat më të rëndësishme në kryeqytetit. Ushtarakët koreanojugorë, kanë rritur nivelin e alarmit edhe në kufi me Korenë e Veriut, për shkak të frikës së provokimeve të mundshme pas shkarkimit të presidentes së vendit.