Gjermania fton në bisedë ambasadorin e Turqisë në Berlin

01.03.2017 21:39:29

Pas arrestimit në Turqi të gazetarit të gazetës “Die Welt”

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka ftuar në bisedë ambasadorin e Turqisë në Berlin.

Kjo u bë në shenjë proteste për shkak të arrestimit nga ana e autoriteteve turke të gazetarit gjerman, Deniz Juçellit, nën akuzat për përhapje të propagandës terroriste.

“Me kërkesën e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Zigmar Gabriel, sekretari shtetëror, Valter Lindner, ka ftuar në bisedë ambasadorin e Turqisë”, u theksua në llogarinë e ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Twitter, shkruan rtv21.tv

Edhe ministri gjerman i Ekonomisë, Hajko Mas, kritikoi sot Turqinë për shkak të arrestimit të Juçellit dhe porositi se politikanët turqë, të cilët planifikojnë të vizitojnë Gjermaninë, fillimisht duhet të respektojnë lirinë e shtypit.

Reagimi i Masit erdhi pas spekulimit të medieve se për vizitë në Gjermani mund të shkojë Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan.

Arrestimi i Juçellit, gazetar i gazetës Die Welt, i cili ka si nënshtetësinë gjermane, ashtu edhe atë turke, nxiti reagime të ashpra të kancelares, Angela Merkel dhe të ministrit të Jashtëm, Zigmar Gabriel.

Autoritetet turke arrestuan Juçellin nën akuzat për përhapje të propagandës terroriste dhe për nxitje të opinionit për dhunë.

Autoritetet turke fillimisht e vendosën Juçellin në paraburgim më 14 shkurt, pasi që kishte raportuar për sulmin kibernetik kundër postës elektronike të ministrit turk të Energjetikës, Berat Albajrakut. Më pas, Gjykata në Stamboll vendosi se ai duhet të qëndroi në burg, deri në fillim të procesit gjyqësor kundër tij.