Gjermania i thotë Rusisë se po bën “akt armiqësor”: “Lufta” gjermane për bullgaren në krye të OKB-së

12.09.2016 23:27:25

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Schaefer, e ka vlerësuar si “akt armiqësor” veprimin kur Rusia “paraqiti të dhëna objektivisht të rrejshme”.

Një ditë më parë, një zëdhënëse e diplomacisë ruse, Maria Zakharova, tha se në Samiti e G20-shit në fillim të shtatorit, Moska ia bëri të qartë kancelares gjermane Angela Merkel se është e papranueshme çdo përpjekje e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë për të ushtruar presion mbi Bullgarinë.

Kjo po ndodh derisa Sofja zyrtare, siç raportojnë disa media, në momentin e fundit po punon në ndryshimin e kandidates për Sekretare të Përgjithshëm të OKB-së. Thuhet se fjala është për tërheqjen e shefes së UNESCO-s, Irina Bokova, dhe propozimin e nënkryetares së Komisionit Evropian, Kristalina Georgieva.

Zëdhënësi i Komisionit të hënën nuk pranoi të komentojë spekulimet e shtypit. Ndërsa, zëvendëskryeministrja e Bullgarisë, Rumiana Bachvarova, tha të hënën se kandidatura e Bokovës jep pak shpresa për sukses dhe se informacionet e reja jepen në ditët në vijim.

Në garën për ta pasuar Ban Ki-moonin janë dhjetë kandidatë, ndërsa asgjë nuk e pengon kandidaturën në minutën e fundit – edhe pse procesi i emërimit tashë ka filluar.

Emri i ardhshëm i Sekretarit të Përgjithshëm duhet të dihet në fillim të tetorit.

Pas katër votimeve të Këshillit të Sigurimit, ish-kryeministri portugez, Antonio Guterres, është ende lider në mesin e kandidatëve që duan të trashëgojnë Banin nga janari.