Gjermeni: Pasuria e së shkuarës në ndërtim, referencë për të ardhmen

05.12.2016 15:33:38

Dy botime të reja të Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, paraqesin historinë e ndërtimit të rrugëve, urave dhe ujësjellës – kanalizimeve në vitet 1920–1990, në Shqipëri. Një punë e gjerë hulumtuese e inxhinierëve Gjergj Thomai, Arjan Lako, Luljeta Fortuzi dhe Fitim Balla, që synon të informojë profesionistët dhe studentët shqiptarë, si dhe mundëson të kuptuarit sa më të mirë të situatës së projektimeve në këtë fushë dhe për të ndihmuar aplikimin e drejtë të projekteve të mëtejshme  në terren.

Ministrja e Zhvillimit Urban, znj.Eglantina Gjermeni, gjatë takimit promovues të dy botimeve: “URAT NË SHQIPËRI GJATË SHEK. XX-TË” dhe UJËSJELLËSA – KANALIZIME 1929 – 1990, tha se punë të tilla përbëjnë një pasuri që u duhet trashëguar të rinjve e që duhet të shërbejnë si referencë edhe për ditët e sotme.

“Menaxhimi i ujit është një komponent i rëndësishëm i zhvillimit të territorit. Tani që, bashkitë kanë një menaxhim të ri të territorit, do të ishte një mundësi e mirë bashkëpunimi mes ju, pedagogëve dhe  studentëve  tuaj, me këto bashki, për të parë gjendjen sot, e për të parë se ku dhe si duhet ndërhyrë në drejtim të                    ujësjellës-kanalizimeve. Kështu, përmirësojmë të tashmen dhe i paraprijmë të papriturave që mund të sjellë e ardhmja”, – tha Ministrja Gjermeni gjatë takimit.

Ky është botimi i 4-të i AQTN brenda pak muajsh, bazuar mbi dokumentet shumëvjeçarë, që ky arkiv disponon, lidhur me infrastrukturën urbane, të ndërtimit dhe të transportit, në vendin tonë.

Brenda pak javësh, i gjithë dokumentacioni në AQTN do të mund të jetë lehtësisht i arritshëm nëpërmjet sistemit on-line.