Gjukanoviqi nënshkruan Ligjin për lirinë fetare. Popi Amfilohije: ai është tradhtari më i madh

28.12.2019 19:46:36

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka nënshkruar sot Ligjin për Lirinë Fetare apo të Besimit dhe Statusin Ligjor të Komuniteteve Fetare, mëson portali RTCG.

Kujtojmë se pas incidenteve në Kuvendin malazez, me votat e koalicionit qeverisës dhe të SDP-së (Partia Socialdemokrate e Malit të Zi) u miratua ky akt.

Pas nëshkrimit të ligjit ka reaguar ashpër kryepopi serb në Malin e Zi, Amfilohije, duke e quajtur Gjukanoviqin si tradhëtarin më të madh.

“Unë kam thënë vazhdimisht se tradhtari më i madh i Malit të Zi është Milo Djukanovic, dhe tani ky Ligj është gjithashtu tradhtia më e madhe e Malit të Zi”, tha i mllefosur Amfilohije.

Deputetët e Frontit Demokratik i kanë bërë thirrje gjatë ditës së sotme presidentit Gjukanoviq që të mos e nënshkruajë Ligjin për lirinë fetare, por të njëjtin ta kthejë në Kuvend për përpunim të mëtejshëm.

Ligji parashikon shtetëzimin e pronave për të cilat Kisha nuk mund të dëshmojë se i përkisnin asaj para vitit 1918.

Deri në atë datë, Mali i Zi nuk ishte i pavarur dhe bënte pjesë në mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve.

Miratimi i ligjit për komunitetet fetare është shoqëruar me protesta, dhunë dhe arrestime në Parlamentin e Malit të Zi.

Pas mesnatës së të enjtes seanca u ndërpre, pasi, siç raportoi Al Jazeera, u hodh një lëndë e ngjashme me gazin lotsjellës.

Ligji u miratua vetëm me votat e koalicionit qeverisës, ndërsa brenda dhe jashtë parlamentit pati protesta të dhunshme.

Pas incidentit të së enjtes, 22 persona u arrestuan – 18 deputetë të partisë Fronti Demokratik dhe katër të tjerë.

Kjo forcë politike e Malit të Zi paraqiti më shumë se 100 ndryshime në projektligj, por ato u kundërshtuan nga koalicioni qeverisës.

Qindra përkrahës të opozitës pro-serbe dolën në rrugët e Podgoricës për të protestuar kundër projektligjit.

Policia vendosi barriera metalike përgjatë rrugëve për të parandaluar protestuesit, përfshirë disa priftërinj, të cilët ishin përpara parlamentit, ku ligjvënësit po debatonin për projektligjin.

Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i heqë pronën, duke përfshirë dhjetëra manastire mesjetare dhe kisha.