Gjuriq takon përfaqësuesit e serbëve të Kosovës

13.10.2016 16:24:36

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka takuar sot përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Gjatë kësaj bisede u shqyrtua situata pas miratimit të Ligjit për Trepçën, shkruan mediat serbe.

Tanjug shkruan se gjatë këtij takimi janë shqyrtuar një varg masash të përgjigjes së bashkërenduar të Qeverisë së Serbisë dhe të serbëve të Kosovës.

“Përpjekja për konfiskimin e Trepçës nuk do të ndodh. Është arritur pëlqimi se vetëm me aksion të përbashkët mirë të organizuar të Republikës së Serbisë dhe të përfaqësuesve të serbëve në institucionet e përkohshme të administrimit në Prishtinë në këtë situatë mund të mbrohen interesat serbe shtetërore e kombëtare”, thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.

Gjuriq ka vlerësuar se përfaqësuesit e serbëve në këtë moment, duke ngrirë pjesëmarrjen në punën e Qeverisë dhe të Parlamentit kanë marrë të vetmin vendim të mundshëm, që nuk është sinjal se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në marrjen e vendimeve, por se nuk lejojnë të margjinalizohen në çështjet që janë në interes për popullin serb.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ministrat Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq, kryetarët e  Shtërpcës dhe Graçanicës, Bratisllav Nikoliq dhe Vladeta Kostiq, dhe drejtori i Trepçës në pjesën veriore, Jovan Dimkiq.

Në këtë takim nuk ka marrë pjesë shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq.