Gjuriq thotë se deklaratat e Thaçit dhe Ramës kanë tmerruar serbët

23.04.2017 10:14:30

Por, Gjuriq, në këtë deklaratë të tij për Sputnik (agjenci ruse lajmesh e afërt me Vladimir Putin) shtoi se një gjë të tillë nuk do ta lejonte kurrë Serbia dhe se ndërmarrja për një Shqipëri të Madhe është një ide qëkur nazistët kishin pushtuar Jugosllavinë. I pyetur nëse deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, ishte një lëvizjes taktike, apo një pretendim serioz, Gjuriq tha se nëse deklarata e tij do të përkthehej në një aksion konkret kjo do të përbënte thyerje të ligjit ndërkombëtar.

“Për ne dhe për një pjesë të madhe të komunitetit ndërkombëtar; përfshirë dhe OKB-në, Kosova dhe Metohija janë pjesë integrale të Serbisë. S’ka pasur kurrfarë lloj procedure demokratike të ndarjes së Kosovës nga Serbia”, pohoi Gjuriq, njofton Klan Kosova.

Gjuriq është shprehur i shqetësuar edhe për faktin se askush nga BE-ja s’po reagon për këto deklarata të Ramës.

“Fatkeqësisht, kemi parë heshtje edhe kur Prishtina vendosi ta ndërpresë dialogun, dhe ne nuk shohim as për këto pretendime reagim të mjaftueshëm të BE-së”.

Në një interviste të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për portalin Politico, ai tha se rruga e hapur drejt integrimeve evropiane dhe perspektiva e qartë janë mënyra e vetme që Ballkani të jetë i qetë “por nëse kjo shpresë, perspektivë, mungon atëherë unionet e vogla mund të ndodhin”.

Pas kësaj Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Europian e mbyll derën për Kosovën, “atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”.