Kryeministri Mustafa thotë se do të punohet që gazetarëve t’u kthehen përgjigje sa më shpejt

03.02.2017 13:37:52

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku u diskutua lidhur me lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.

“Dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e mediave dhe të konstatoj se mediat po atë rëndësi të cilën e kanë pasur historikisht edhe në fazën e pavarësimit të Kosovës, vazhdojnë ta kenë edhe sot në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në ndërtimin e demokracisë dhe mbesin instrument tepër i rëndësishëm i informimit, edukimit, por edhe i jetës tjetër të qytetarëve. Sa i përket qasjes në dokumente publike, edhe përkundër vlerësimeve të cilat i shpalosa më parë, mendoj se është evidente që duhet të krijojmë kushte edhe më të mira. Megjithatë mendoj se duhet të vlerësojmë se nga 103 shtete, ne jemi radhitur të 25-it në këtë aspekt, që mendoj se është një renditje e mirë edhe karshi vendeve në regjion edhe karshi vendeve tjera. Por, kjo assesi nuk më jep të drejtë që të jem i kënaqur, por të gjejmë hapësirë, meqenëse kemi bërë ndryshime të tilla dhe kemi arritur deri këtu, mund të arrijmë edhe standardet e fundit ndërkombëtare, të cilat paraqiten para nesh. Ne si Qeveri po punojmë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian për të bërë ndryshimin e ligjeve ekzistuese të kësaj fushe, të Ligjit për qasje në dokumente publike, atë për klasifikimin e dokumenteve dhe për mbrojtjen e të dhënave personale dhe, mendoj se kjo mund të jetë një kontribut shtesë në margjinë të kësaj. Qeveria do të marrë parasysh edhe sugjerimet dhe kërkesat e gazetarëve që të punohet më shumë në kthimin sa më shpejtë të përgjigjeve për gazetarë”- ka thënë kryeministri.