Gjykata e Krujës liron vrasësin e policit. Reagon Meta: Hetim rastit

07.11.2017 18:11:43

Genc Tafili, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari në vitin 2000, është liruar mesditën e së martës nga Gjykata e Krujës, kur i kishin mbetur dhe më shumë se 3 vjet për të përfunduar dënimin.

Ka qenë gjyqtarja Enekeleda Hoxha, e cila ka pranuar kërkesën e Genc Tafilit për lirim me kusht, edhe pse prokuroria e cilësoi vendimin në kundershtim të hapur me ligjin.

Sipas organit të akuzës, ligji e parashikon që nga lirimi me kusht nuk mund të përfitojnë personat e dënuar për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, vepër për të cilën ishte dënuar dhe Tafili.

Por Gjykata e Krujës nuk e ka marrë parasysh këtë fakt dhe ka urdhëruar lirimin e tij. Menjëherë vendimi është apeluar dhe i është kërkuar kreut të KLD-së të nisë verifikimin për këtë rast.

Vëllezërit Tafili janë të njohur për drejtësinë shqiptare. Pas ngjarjes së vitit 2000, ku veç Arben Zylyftarit mbeti i vrarë dhe Bahri Tafili, babai i Genc dhe Admir Tafilit, ky i fundit nisi hakmarrjen, pasi sipas tij, shkaktar për vrasjen e babait ishte shefi i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Prelë Pjetrushi.

Admir Tafili arriti t’i bëjë një atentat Pjetrushit në Malësinë e Madhe, por fatmirësisht ai arriti të shpëtonte dhe u largua nga Shqipëria.

Edhe pse i arrestuar, Admir Tafili më 2 tetor të vitit 2010 mori 5 ditë leje për të takuar familjarët. Ai arriti t’u largohej gardianëve dhe pas 6 muajve në arrati, më 18 mars 2011 qëlloi për vdekje dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi.

Më pas Admir Tafili u dorëzua në polici, për t’u arratisur dy vjet më pas nga burgu i Drenovës. Arrati që zgjati vetëm disa orë.

Lirimi i Tafilit, reagon Meta: Inspektoriati i KLD hetim çështjes

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pasditen e së martës lidhur me lirimin nga Gjykata e Krujës së Genc Tafilit, vëllai i Admir Tafilit, personi që porosiste vrasje me pagesë nga burgu.

Përmes zëdhënësit të tij, Meta ka bërë me dije se në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka urdhëruar Inspektoriatin e këtij institucioni që të fillojë urgjentisht verifikimin e rastit në fjalë dhe veprimtarinë proceduriale të kësaj gjykate.

“Presidenti i Republikës garanton se pretendimet e institucionit të Prokurorisë do të verifikohen nga Inspektoriati dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e ligjit”, ka bërë me dije zëdhënësi Tedi Blushi.

Ai ka shtuar se, presidenti Meta mbështet të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe prokurorinë në veprimtarinë e tyre, në luftën kundër krimit dhe sundimit të ligjit.