Gjykata lë në burg 3 nga 6 protestuesit e arrestuar të opozitës

24.03.2019 18:32:28
Tre nga gjashtë të arrestuarit e protestës së fundit të opozitës para Kuvendit janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.

Në seancën e zhvillaur këtë të dielë gjykata vendsoi masën arrest me burg për Mariglen Doçin, Dorian Protoduarin dhe Emiljan Mustafa.

Ndërsa për tre të tjerët, Jurgen Gjikolën, Bledar Dollinë dhe Arbër Kolën u dha masa “arrest shtëpie”.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa morën pjesë në të familjarë dhe përfaqësues nga PD dhe LSI.

Gjashtë protestuesit akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishje të qetësisë publike”.

Ndërkohë ish-deputetët e opozitës e cilësuan vendimin e gjykatës të ndikuar nga politika, raporton Vizion Plus.

Sipas nënkryetarit të PD, Edmond Spaho masa e arrestit me burg për tre të ndaluarit u dha pa prova dhe fakte.