Gjykata Supreme e Kosovës reagon pasi u tha se ka pasur përformancë të dobët në kryerjen e lëndëve

26.12.2020 17:52:06

Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj një hulumtimi të bërë nga GLPS i cili konsideron se kjo gjykatë ka treguar përformancë të dobët për vitin 2019, ani pse efikasiteti i kryerjes së lëndëve është 95%.

Me anë të një komunikate për media, Supremja ka thënë se ka kërkuar sqarime nga GLPS se mbi çfarë baze është konsideruar përformancë e dobët fakti se 95% e lëndëve janë kryer.

“Gjykata Supreme gjatë ditës së djeshme, pas prezantimit të hulumtimit të Indeksit të Performancës së Institucioneve të Sundimit te Ligjit në Kosovë, nga GLSP, ka kërkuar sqarime nga kjo organizatë lidhur me cilësimin “performancë e dobët e Gjykatës Supreme”, efikasitetin e kryerjes së lëndëve 95 për qind, për vitin 2019”, thuhet në reagim.

“Ndaj, si Gjykatë, kemi kërkuar të njoftohemi se si është matur dhe vlerësuar efikasiteti i Gjykatës Supreme, dhe mbi çfarë baze është vlerësuar performancë e dobët, efikasiteti 95% ( referuar grafikonit të publikuar në ueb të KGJK-së, për efikasitetin e gjykatave gjatë vitit 2019)”, thuhet tutje në komunikatë.

Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, Gjykata Supreme thotë se  (pa përfshirë DhPGjS) nuk ka lëndë të trashëguara nga vitet paraprake, dhe lëndët e këtij viti, me përjashtim të një pjese që kanë ardhur në muajt e fundit të vitit 2020, janë përfunduar.

“Po ashtu, nëse GLSP ka marrë për bazë statistikat e një viti më parë, të prezantuara në ueb-faqen e KGJK-së, sipas grafikonit të bashkëngjitur, mund të shihet se nuk është Gjykata Supreme me ‘performancën më të dobët”, sipas tyre”, thuhet tutje aty.

“Ndaj, duke iu referuar fjalisë në prezantim nga GLSP, se “Të njëjtat të dhëna për gjyqësorin kanë treguar se efikasitet më të lartë në përfundimin e lëndëve kanë pasur gjykatat themelore. Kurse, Gjykata Supreme ka pasur performancën më të dobët në raport me gjykata e tjera të vendit”, Gjykata Supreme, e konsideron deklaratë të pavend, për faktin se efikasiteti 95 për qind, nuk mund të cilësohet i dobët, sipas asnjë lloj analize e as matematike”, theksohet në komunikatë.

Supremja thotë se shqyrtimi i lëndëve me mjete të jashtëzakonshme juridike, është vetëm një aspekt i punës së gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, krahas dhënies së mendimeve juridike, qëndrimeve parimore, harmonizimit të politikës ndëshkimore dhe aspekteve tjera profesionale.