Gjykimi për dallavere me ngastrat kadastrale, i dëmtuari thotë se nuk e dinte se prona ishte e shtetit

18.12.2017 16:25:50

I dëmtuari Jeton Aliçkaj, të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se nuk e kishte ditur se pronën të cilën e kishte blerë në periudhën 2012-2013 në Deçan, ishte e ndërmarrjes shoqërore “Ereniku”.

Aliçkaj, ka shtuar se këtë pronë e kishte blerë pasi thotë se ka menduar se ajo ishte në pronësi të një serbi, emri i të cilit nuk i kujtohet, por që sipas aktakuzës, kjo pronë shoqërore përmes dallavereve kishte kaluar në pronësi të Milivoje Qosoviq.

Pikërisht, për ndryshimin e kësaj prone shoqërore dhe i disa të tjerave, akuzohen për vepra të ndryshme korruptive, Jahja Imami, Valbona Naka, Viçenc Komani, Shërbim Berisha dhe Ismet Kryeziu.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Dulina Hamiti, dëshmitari tha se të akuzuarin Shërbim Berisha e njihte, pasi ai së bashkë me të dëmtuarin Ngadhnjim Ukëhaxha kishin blerë pronën 8 hektarësh, në Rastavicë të Deçanit.

“Me Neki Ismailin dhe Naser Llullumin jemi takuar në Junik, dhe Nekia ma ka ofruar për blerje këtë tokë. Më ka ofruar çmimin prej 50.000 euro për një hektar. Atë ditë ne vetëm kemi biseduar, por pas disa ditëve jemi takuar, ne i ofruam çmimet tona dhe i kemi thënë që paratë nuk i kem të gjitha. Pastaj, i kemi njoftuar se ne posedojmë 30 ari në Pejë dhe ua kemi propozu me hi në ndërrim me atë pjesën, ndërsa pjesën tjetër me ja dhanë me para. Çmimi ka qenë 200.000 euro, prej të cilave 120.000 euro, vlerë për tokën në Pejë, ndërsa pjesën tjetër prej 80.000 euro e kemi pas për obligim me pagu, kur bartet toka në emrin tim”, tha dëshmitari.

Ai tha se pas dhjetë ditësh, për pjesën e tij prej 4 hektarë, të akuzuarit Shërbim Berishës ia kishin deponuar 20.000 euro në xhirollogarinë e tij, pasi edhe sipas kontratës, ishin marrë vesh që çmimi i shitblerjes së asaj pronë të jetë 200.000 euro.

Dëshmitari tha se toka figuronte në emër të një serbi, emri i të cilit tha se nuk i kujtohej.

Ai shtoi se shumën prej 25 mijë euro, i kishte marrë si para kesh Neki Ismaili, ndërsa çmimi në vlerë 35.000 euro, ishin zëvendësuar me ndërtimin e tri shtëpive.

“Toka ka qenë në emër të serbit, ne e kemi paguar tërësisht çmimin pas kësaj kontrate. Në kontratë ka qenë e shkruar së në momentin kur Shërbimi e bart tokën në emër tim do t’i bëhet pagesa. Unë 30 ari ia kam bartë të tokës në Pejës, pjesën prej 20.000 ia kam deponu në konto, 25 mijë në dorë Neki Ismailit, ndërsa shumën prej 35.000, e kemi zbrit në ndërtimin e shtëpive në fshatin Nivokaz, Komuna e Gjakovës”, tha dëshmitari.

Ai tha se ai personalisht kishte shkuar në kadastër dhe e kishte bërë verifikimin e dokumentacionit, të cilin ia kishte siguruar Neki Ismaili, por sipas tij ai nuk e kishte ditur se ajo pronë ishte shoqërore.

Ai tha se Shërbim Berisha, Neki Ismaili dhe Naser Llullumi i kishin garantuar se prona për të cilën i dëmtuari e kishte blerë ishte në rregull.

Tutje, dëshmitari tregoi se si kishte shkuar në Graçanicë bashkë me Berishën, Kujtim Ukëhaxhën dhe me tre serbë, për tu takuar me personin i cili sipas tij, ishte pronar i tokës, për të bartur pronën në emër të tij.

“Masi kemi ba pazar për tokë kemi shkuar në Graçanicë me u taku me serbin, për me bartë atë tokë mbi veti. Aty e kemi vërtetuar autorizimin në gjykatën në Graçanicë, në bazë të së cilës serbi e autorizoi Shërbimin për shitjen e asaj tokës. Unë kur jam thirr në polici për të dëshmuar e kam kuptuar se ajo pronë ishte në emër të Erenikut”, tha dëshmitari.

Dëshmitari shtoi se për tokën në fjalë asnjëherë nuk kishte pasur telashe, dhe se akoma ishte duke e shfrytëzuar atë dhe se nuk e konsideron vetën të dëmtuar për shkak se ende ishte pronar.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 1 shkurt 2018, në ora 13:00, në të cilën do të dëshmojnë Harun Mushiviq, Nikollë Komani dhe Hasan Hulaj.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i pandehuri Jahja Imami, në bashkim real ka kryer tri vepra penale si “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.

Imami akuzohet se në cilësinë e referentit për vërtetime të kontratave në Gjykatën Komunale të Pejës, në fillim të vitit 2012, ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare dukë marrë ryshfet dhe falsifikuar dokumente lidhur me disa ngastra kadastrale në Komunën e Gjakovës.

Ismet Kryeziu, akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ka keqpërdorur autoritetin zyrtar, pasi që i njëjti dyshohet se me dijeni ka lejuar ndërrimin e ngastrave kadastrale.

Valbona Naka, akuzohet se në cilësinë e udhëheqëses për çështje juridike në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare lidhur me bartjen e paluajtshmërisë, si dhe ka ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte tek Ismet Kryeziu për të bërë bartjen e paluajtshmërisë.

Kurse, Shërbim Berisha, sipas aktakuzës, gjatë muajit mars të vitit 2011, në zyrën kadastrale në Komunën e Deçanit, ka bërë kërkesë për regjistrim të paluajtshmërisë, si dhe ka prezantuar aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata Komunale në Pejë, për ngastër kadastrale të cilën ka pasur qëllim ta bart në emër të Milivoje Qosoviq.

Berisha, sipas ankesës ka arritur që në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, përmes të pandehurit Ismet Kryeziu, t’i bart këto ngastra në emër të Milivoje Qosoviq. Sipas aktakuzës, Kryeziu, duke shfuqizuar aktvendimin e Drejtorisë Komunale për Kadastër dhe Gjeodezi të Deçanit, ka obliguar këtë drejtori që të regjistrojë të drejtën e pronës në emër të Milivoje Qosoviq.

Shërbim Berisha i kishte vënë në lajthim të dëmtuarit Ngadhnjim Ukëhaxha dhe Jeton Aliçkaj, pasi ngastrat kadastrale në sipërfaqe prej 8.81,92 ha, në Rastavicë të Deçanit, në emër të Milivoje Qosoviq, ia kishte shitur të dëmtarëve me aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata komunale në Pejë, në janar të vitit 2011, në vlerë prej 80.000 euro.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Gjithashtu, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrim”. Sipas aktakuzës, me qëllim që t’i sjell vetes përfitim të kundërligjshëm, i ka vënë në lajthim Ngadhnjim Ukhaxhaj dhe Jeton Aliçkaj, duke u shitur ngastra kadastrale prej shumës 80.000 euro, ngastra të bartura në bazë të dokumentit të falsifikuar, të cilat i ka bartur në emër të Milivoje Qosoviq.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon të akuzuarin Viçenc Komani, për veprat penale “dhënie ryshfeti” dhe “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”. Prokuroria pretendon se gjatë viteve 2011-2012 i akuzuari, i ka dhënë ryshfet Jahja Imamit, referent për vërtetime të kontratave në ish-Gjykatën Komunale në Pejë.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri Komani ka dhënë dy herë nga 1.000 euro, me qëllim vërtetimin e kontratave të shitblerjes për ngastrat kadastrale në Komunën e Gjakovës, kontrata të falsifikuara nga vet i pandehuri Komani.

Sipas aktakuzës, pas vërtetimit të kontratave fiktive nga i akuzuari Viçenc Komani, të njëjtat i ka përdorur dhe i ka dorëzuar pranë shërbimit kadastral në Komunën e Gjakovës. Kur aty nuk ka mundur të bëjë bartjen në librat kadastral, i njëjti ka arritur që në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, të sigurojë aktvendimin për lejimin e regjistrimit të kësaj ngastre kadastrale, ashtu siç figuron në kontratën e falsifikuar.

Ndërsa, aktakuzën ndaj Fatmir Muriqit e kishte ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, me anë të së cilës ka pretenduar se i njëjti nuk ka qenë i autorizuar të përpilojë kontratën mbi shitblerjen, e aq më pak t’i shesë parcelat e blerësve. Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri Muriqi kishte keqpërdorur autorizimin e tij, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë prej 100.000,00 euro.

Ndryshe, pjesë e kësaj aktakuze është edhe Jahja Imami, i cili sipas prokurorisë, duke qenë në pozitën e referentit për vërtetime të kontratave të ish-Gjykatës së Qarkut në Pejë, i ka mundësuar të akuzuarit Fatmir Muriqi, përfitimin e 100.000.00 eurove, duke vërtetuar këtë kontratë pa e lexuar fare autorizimin.

Gjykata Themelore në Pejë, më 10 prill 2016, kishte marr aktvendim për transferimin e kësaj lënde në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Një gjë e tillë ka ndodhur me arsyetimin se i akuzuari Imami ka qenë punëtor shumëvjeçar i Gjykatës në Pejë, ndërsa për këtë arsye kjo e fundit nuk mund të procedoi tutje në këtë çështje penale.