Gjykimi për “Lagjen e Trimave”, avokatja: Po fshihen organizatorët e operacionit…

30.08.2017 15:02:44

Seanca gjyqësore për rastin “Lagjia e Trimave” si duket do të përfundojë me epilog negativ ndaj të akuzuarve shqiptarë. Sot është zhvilluar seanca e mbrojtjes, ku Artene Ademi ishte e para prej avokatëve që filluan me mbrojtjen e të akuzuarve.

Sipas saj, ky proçes gjyqësor nuk është i bazuar në ligje dhe prova konkrete por gjithçka është një sajim banal pasi akuzat bazohen kryesisht në biseda të përgjuara telefonike për të cilat nuk ka ekspertizë as të zërave, të cilat marrin pjesë në bisedë.

“Ky proçes do të shkruhet në historinë e gjyqësorit si një shembull se si nuk duhet vepruar.

Veprimet e koordinuara të gjykatës dhe prokurorëve çuan në një situatë ku nuk dihen kokat e këtij operacioni, sa zyrtarë shtetëror janë përfshirë dhe sa prej tyre janë përgjegjës për sigurinë e shtetit. Koha do të tregojë nëse qëllimisht po fshihen organizatorët dhe pjesëmarrësit e vërtet të këtij rasti”, deklaroi Artene Ademi.

Në vazhdim ajo tha se aktakuza e prokurorisë nuk korrespondon me provat që kanë nxjerrë.

Vlen të theksohet se edhe në seancën e sotme disa prej të akuzuarave ikën nga salla e gjyqit në shenjë bojkoti.

7 persona i thanë gjykatëses se nuk duan të jenë prezent në një sallë ku nuk ka drejtësi.

Tashmë kanë kaluar dy vjet nga ngjarja në Lagjen e Trimave, ku 8 policë dhe 10 pjestarë të armatosur u vranë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

Kujtojmë se familjarët e pjestarëve të vrarë dhe të arrestuar në ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015, kanë akuzuar edhe figura politike shqiptare, gjegjësisht drejtuesit e lartë dhe vetë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Përveç familjarëve, edhe vet të akuzuarit disa herë me rradhë kanë kërkuar si dëshmitarë mbrojtës paraqitjen e Ali Ahmetit dhe disa funksionarëve tjerë të BDI-së.