Gjyqet e pronave, ja audio-përgjimi “në emër të qeverisë”

28.08.2018 16:06:40

Portali “exit.al”, i drejtuar nga një këshilltar i kryedemokratit Lulzim Basha, publikoi një audiopërgjim ku pretendohet se nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, i ka kërkuar gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku, që të ndikojë pranë kësaj gjykate në lidhje me çështjet e pronave të qytetarëve shqiptarë.

Portali thekson se bëhet fjalë për një bisedë të vitit 2014, ku Denar Biba i shpjegon Ledio Biankut se e ka dërguar Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit.

“Më mori Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun? Më thonë që nga të gjithë këta që kemi afër, ti e ke më afër”, dëgjohet në materialin audio.

Përgjimi duket se është ambiental dhe nga zhurma duket se biseduesit ndodhen në një ambient publik. Në një moment, shpjegon “exit.al”, Denar Biba i tregon bashkëbiseduesit se çfarë i kërkon qeveria shqiptare.

“Tha që kemi këto problemet. E di ti, gjithë kjo historia që do të kërkohet shtyrja. Të lutem, tha, t’i lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori”, degjohet të thotë Biba.

Materiali audio është i gjatë rreth 1 minutë dhe në fund të tij, shpjegon portali, nënkryetari i KQZ-së dëgjohet në përpjekjen për të bindur gjyqtarin shqiptar në Strasburg, duke i folur për punë, sakrifica dhe kompromise: “A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’ të vajti sakrifica? Njeriu bën kompromise në jetë”.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, reagoi duke akuzuar për shantazh të pastër të Kryeministrit. Sipas Bashës, Sekretari i Përgjithshëm i Ramës dhe nënkryetari i KQZ-së kanë vepruar në shkelje të ligjit.

Duke i kërkuar Prokurorisë që të nisë menjëherë procedimet penale, Basha pohoi se ky rast dëshmon trysninë dhe presionet që Kryeministri ushtron ndaj procesit të vetting-ut.