“Gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës tani i kanë pagat më të larta në rajon”

28.12.2017 13:51:54

Në bazë të Ligjit për Gjykata dhe Ligjit për Prokurorinë e Shtetit, do të rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet Prokurorët e gjyqtarët kosovarë bëhen me pagat më të mira në rajon, kështu ka deklaruar Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke konfirmuar se vendimi i qeverisë për rritjen e pagave, prek edhe sektorin e drejtësisë. “Ishte kënaqësi që t’i njoftoj Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial që me hyrjen në fuqi të vendimit për ngritje të pagave për zyrtarët qeveritar, me automatizëm, në bazë të Ligjit për Gjykata dhe Ligjit për Prokurorinë e Shtetit, do të rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet”, ka theksuar Tahiri përmes një shkrimi në ‘Facebook’ pas konferencës se fundvitit bashkë me kryesuesit e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial.  Ministri Tahiri ka thënë se pret që kjo të sjellë edhe rezultate konkrete në punën e tyre, sidomos në luftën kundër korrupsionit. “Jam shumë i lumtur që me buxhetin për vitin që po hyjmë do të ketë rritje substanciale buxhetore për këto institucione për të forcuar sistemin e drejtësisë në vend. Në vitin 2018 gjyqësorit dhe prokurorisë së shtetit do t’i shtohen gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe staf profesional shtesë dhe plotësim të nevojave tjera të domosdoshme për të siguruar luftim më efikas të korrupsionit, krimit dhe dukurive tjera negative që bien ndesh me ligjin”, është shprehur Tahiri. Në vitin 2013 ku të gjitha sektorët e shërbimit publik kanë përfituar nga rritja e pagave, gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë të vetmit që nuk kanë përfituar nga kjo rritje, ka rikujtuar Tahiri.  Andaj, sipas tij, ky është një lajm i mirë edhe për faktin se gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës tani i kanë pagat më të larta në rajon. “Tani qytetarët e Republikës së Kosovës presin me të drejtë që viti 2018 të jetë vit i rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies në sektorin e drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit ne vend” tha ai, derisa u zotua se bashkë me kolegët nga KGJK dhe KPK do të angazhohet fuqishëm që në fund të vitit të ardhshëm të raportojmë suksese të mëtutjeshme në këtë sektor.