Goditet rrjeti kriminal në emër të liberalizmit të vizave

10.08.2016 15:26:09

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër tre të pandehurve me inicialet A.B., O.B. dhe S.B., për shkak se kanë kryer veprën penale krimi i organizuar lidhur me detyrim.

Sipas aktakuzës, tre të pandehurit, në bashkëkryerje me një person tjetër i cili është vrarë në gusht të vitit 2014, si dhe me disa persona tjerë ende të paidentifikuar, të cilët kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore shumëvjeçare kanë kryer një varg të krimeve të rënda penale me qëllim të përfitimit të dobisë financiare.

Të pandehurit kanë bërë presione të vazhdueshme, si dhe kërcënime të rënda, tre peronave të dëmtuar që ta lirojnë pronën e patundshme me sipërfaqe prej 10.12.53 ha e cila gjendet në Fushë Kosovë, me vlerë rreth 20 milionë euro.

Pronar legjitim i kësaj tokë është kombinati “Bujqësia”, ndërsa i dëmtuari, 14 vite më parë atë tokë e ka marrë me qira dhe në të ka ndërtuar disa objekte, po ashtu me vlerë milionëshe.

Si rezultat i veprës penale, në mars 2014 i dëmtuari ka qenë i detyruar që të largohet nga prona e tije dhe të pandehurit ia kanë ndaluar edhe qasjen fizike në objektet e tij.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se grupi i njëjtë kriminal, në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe me të dëmtuarin A.H, pronar i ngastrës e cila kufizohet me ngastren e cekur më lartë, të cilin e kanë detyruar që t’ia paguaj 165.000 €.

Të pandehurit gjenden në paraburgim. Ndërkaq, rasti është i shenjëstruar për liberalizimin e vizave.