Goditja e ashpër e Albin Kurtit për të larguarit

09.05.2018 15:36:12

Lideri shpirtëror i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me shumë siguri thotë se në partinë që e udhëheq nuk ka pasur ndarje, duke aluduar në të larguarit që sot pritet edhe të zgjedhin kryetarin e tyre, që me gjasë do të jetë Shpend Ahmeti. Për Albin Kurtin, partia e re, kjo e 12 deputetëve që e braktisën Vetëvendosjen nuk janë asgjë më shumë sesa një FER-i dikurshëm. Madje sipas Kurtit, janë edhe më keq se FER-i i atëhershëm

“Së pari në Lëvizje nuk ka pasur ndarje as nuk ka ndarje, VV-ja është më unike dhe harmonike se kurrë më parë, është e vërtetë se 12 deputetë e kanë braktisur grupin tonë parlamentar. Por duhet ta dini, ata para se të votohen si emra të përveçëm, janë votuar si Lëvizje Vetëvendosje. VV-ja pati mbi 200 mijë vota në 11 qershorin e vitit të kaluar dhe vota ishte për VV-në, se ata nuk kanë qenë kandidatë të pavarur në zgjedhje”, u shpreh Kurti, transmeton Express.

Në një intervistë për televizionin publik dhënë të martën mbrëma, Kurti beson se disa prej tyre e dinë që duke u larguar nga VV-ja, kanë gabuar. Ai thotë se askush përveç partisë së tij nuk mund ta luftojë krimin dhe korrupsionin dhe se në matjet e opinionit publik, Partia Social Demokrate, nuk është asgjë më shumë sesa partia FER, subjekt ky që u formua nga Shpend Ahmeti dhe Ilir Deda për t’u shkrirë më pas në Vetëvendosje.

“Ata janë nën nivelin e FER-it dikur, pra FER-i 2 është më keq se FER-i 1, por nuk ka mundur të jetë ndryshe.

Populli e ka provuar FER-in, 2.17 për qind, tash janë në një sondazh 1.8, në një tjetër 2 për qind, d.m.th., më shumë ka një lloj fryrje të perceptimit se çka ka ndodhur në VV. Unë besoj se kanë gabuar shumë dhe besoj se ka prej tyre që e dinë se kanë gabuar. VV-ja nuk mban inat, nuk urren kë, ne e kemi programin e orientimin tonë dhe jemi të bindur se kombinimi i socialdemokracisë me sovranitetin për Kosovën me intencën tonë kombëtare, me demokracinë pluraliste, të gjitha këto vlera me luftimin e pakompromis të krimit dhe korrupsionit dhe s’ka subjekt tjetër që mund ta bëjë këtë, përveç Vetëvendosjes janë kombinim fitues”, shtoi ai.

Kurti shprehet i bindur se ata që kanë dalë nga VV-ja i kanë bërë shumë më shumë dëm vetes. Kjo pasi, siç bëri të ditur ai, VV-ja vetëm për tre muaj ka më shumë së dy mijë anëtarësime dhe kjo, sipas tij, është e pashembullt në historinë e tyre.

“Sikur tash s’ka ndodhë asnjëherë por edhe në bazë të opinionit publik, VV-në e nxjerrin shumë lart”, sqaroi Kurti.

Partia Socialdemokrate sot mban kuvendin zgjedhor, ku edhe do ta emërojë kryetarin e saj.