“GOZHDOHET” IZETBEGOVIQ PASI FOLI PËR KOSOVËN

15.11.2017 12:53:41

Një deklaratë e njërit prej përfaqësuesve të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, se ky vend është dashur “kaherë ta njohë Kosovën” dhe se “shpreson që” Bosnja do ta njohë Kosovën, ka nxitur reagime të shumta në trekëndëshin Sarajevë – Banja Llukë – Beograd.

Gjithçka ka nisur kur mediat serbe ia kanë keqinterpretuar deklaratat Izetbegovicit, i cili për asnjë moment nuk ka thënë se Bosnja do ta njohë Kosovën.

Njërit prej udhëheqësve të Konfederatës boshnjake, Bakir Izetbegovic, i cili është djali ish-udhëheqësit historik të boshnjakëve, Alia Izetbegovic, po i bëhet një gjyq publik rreth deklaratave për Kosovën. Izetbegovic po “gjykohet” nga politikanë në trekëndëshin Bosnjë – Republika Srpska – Serbi për ato që nuk i ka thënë për pavarësinë e Kosovës.

Në fakt, Izetbegovici në asnjë moment nuk ka kërkuar që Sarajeva ta njohë Kosovën, por vetëm ka prezantuar një qëndrim personal mbi atë se çfarë është dashur të bëjë Bosnja.

Izetbegovici ka thënë se sa i përket atij personalisht, Kosova është dashur të njihet, por kjo po bllokohet nga kolegët e tij në Kryesi. Izetbegovici më shumë i ka kushtuar vëmendje çështjes së lëvizjes së lirë, pasi siç dihet Bosnja nuk i njeh dokumentet e Kosovës, ndërkohë që edhe Kosova ka marrë masa të njëjta si përgjigje.

Por, Izetbegovic thotë se politikanët serbë të Bosnjës janë duke e bllokuar krejt këtë.

“Për njohjen e Kosovës duhet konsensus në nivel të BeH-së. Unë jam ai që kam kërkuar që të zgjidhen problemet teknike, komunikimi i njerëzve. Bosnja e Hercegovina e pëson për shkak se ka probleme të komunikimit të mallrave dhe njerëzve me Kosovën. Unë jam një gjenerator i kësaj që e shtyn, që kjo të ndodhë. Mund ta merrni me mend se kush janë ata që e frenojnë këtë. Këta janë politikanët serbë në Bosnjë e Hercegovinë që shpesh janë më rigidë se politikanët serbë. Pa treshen (kryesinë e BeH-së), nuk mund të merrni vendime në raportet ndërkombëtare. Sa më përket mua, deri tani Kosova është dashur të pranohet. Tani do të zemërohen kolegët tanë, ndërsa përpjekjet tona që kjo të mos ndodhë kanë sjellë probleme brenda BeH-së, dhe nuk i kanë ndihmuar Kosovës”, ka thënë Izetbegoviq në një intervistë për Deutsche Welle.
Por a do ta njohë Bosnja Kosovën në një fazë? “Shpresoj se po” është përgjigjur Izetbegovici.
Sido që të jetë, kjo pjesë në mediat serbe është interpretuar ndryshe. E para me keqinterpretim ka filluar agjencia “Tanjug” e më pas edhe Radiotelevizioni shtetëror serb, të cilët kanë transmetuar lajmin më ndryshe duke thënë se Izetbegovici ka theksuar se Sarajava do ta njohë Kosovën.

Deklarata e Izetbegovicit nuk është pritur mirë as nga kolegu i tij kroat i Presidencës boshnjake Dragan Covic, i cili aktualisht është në rolin e kryesuesit. Ai ka thënë se deklarata e Izetbegovicit ka qenë e panevojshme dhe se Sarajeva do ta përcjellë qëndrimin e Beogradit kur bëhet fjalë për Kosovën.

“Jam i sigurt se në Serbi do të udhëhiqet një politikë e mençur, nuk na duhen deklarata të tilla. Do të përpiqem që të ulet topi, sepse do ta ndjekim qëndrimin e Beogradi rreth Kosovës”, ka thënë Covic.

E ai që ka reaguar më ashpër është lideri i Republika Srpska-s, Milorad Dodik, i cili ka thënë se Izetbegovici është “armiku numër një i serbëve”.

“Bakir Izetbegovic nuk është Bosnja e Hercegovina, ai është vetëm përfaqësues i myslimanëve në Kryesi dhe roli i tij këtu përfundon. Bakir Izetbegovic është armiku numër një i serbëve. Ai ka goditur Serbinë, integritetin territorial të saj”, ka thënë Dodik.

Ndërkaq, nga kabineti i Izetbegovicit kanë reaguar duke thënë se deklarata e tij është transmetuar gabimisht, duke thënë se “Izetbegovici nuk ka thënë ‘po’ për njohjen e Kosovës, por ‘shpresoj që po’”.