GP i LDK-së fton partitë për maturi dhe për moscenim të partneritetit me SHBA, NATO dhe BE

22.12.2017 20:29:29

Grupi parlamentar i LDK-së ka lëshuar një Deklaratë për medie nëpërmjet të së cilës paraqet qëndriminetin e tij lidhur me tendencat për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Posaçme.

Këto tendenca, Grupi parlamentar i LDK-së i quan të rrezikshme dhe bën thirrje që çështjet me rëndësi jetike të teajtohen me maturi dhe të ruhet partneriteti me SHBA-të, NATO-n e BE-në.

Kjo është Deklarata e Grupit parlamentar të LDK-së:

Grupi Parlamentar

22 dhjetor 2017

Deklaratë për medie e Grupit Parlamentar të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi ynë nuk ndodhet në asnjë situatë të re e të parashikuar.
Hapat e nxituar mund të prodhojnë situata të reja që do të rrezikonin stabilitetin dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Tendenca për të shfuqizuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tepër e rrezikshme dhe e fut vendin në aventura të paparashikueshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se të gjitha çështjet e, sidomos çështjet me rëndësi jetike për ekzistencën e vendit, duhet të trajtohen me maturi e pa nxitim.
Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh si jetike për vendin tonë ruajtjen e raporteve dhe të miqësisë me SHBA-të, me vendet e BE-së, NATO-n dhe vendet e tjera mike.
Kosova është vendi dhe shteti ynë, që e kemi ndërtuar bashkë me miqtë tanë dhe së bashku do të ecim në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Lidhja Demokratike e Kosovës fton subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës që të reflektojnë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, si subjekti që ka themeluar dhe ndërtuar shtetin e Kosovës, në asnjë rast nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që fati i qytetarëve dhe i vendit tonë të futet në rrugë të paqarta.