Grekët kthejnë shqiptarët në kufi, media greke sulmon Ramën

04.11.2016 20:23:01

Të paktën 60 shtetas shqiptarë janë kthyer ditët e fundit nga pala greke në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

Ora News informon se të kthyerve u janë kërkuar shuma të konsiderueshme parash ose garanci, ndërsa janë lejuar të kalojnë vetëm ata që kanë dokumente të rregullta (pra ata që kanë nënshtetësi greke).

“Shumë prej të kthyerve thonë se u kanë vendosur kryq në pasaporta”, informon Ora News.

Një fakt i tillë është pranuar edhe nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ministria e Brendshme informon për një takim të zhvilluar sot në Tiranë mes zotit Tahiri dhe drejtorit të Policisë greke, Konstantinos Tsouvalas.

“Ministri i Punëve të Brendshme i bëri me dije z. Tsouvalas se ka vërejtur me shqetësim rritjen e numrit të shtetasve shqiptarë të kthyer në kufirin me Greqinë. Tahiri kërkoi nga pala greke të respektohet lëvizja e lirë e shtetasve në zonën “Shengen” dhe të mos kthehen shtetas shqiptarë në kufi pa shkaqe ligjore e të motivuara mirë”.

Një burim nga policia kufitare e Kakavijës i konfirmoi Ora News se kthimet kanë disa ditë që kanë nisur, madje në ditët e kaluara ka pasur më shumë kthime në numër.

Forcimi i masave dhe kthimet përkojnë me rritjen e tensioneve mes Shqipërisë e Greqisë pas prishjes së disa godinave në Himarë të cilat ngjallën dhe reagimin e Athinës zyrtare.

Mes dy shteteve ka pasur shkëmbim replikash.

E fundit ajo e ministrit të Jashtëm grek Kotzias, i cili deklaroi se faktet historike mbeten të tilla dhe se palët duhet të jenë seriozë.

Ndërkohë përplasja e kryeministrit Rama në kuvend me kreun e PBDNJ-se Vangjel Dule, vazhdon jehonën në mediat greke.

Gazeta “Ethnos” në një shkrim me titull “Rama ne delir të ri” thekson se shefi i ekzekutivit shqiptar u përplas verbalisht me Dulen.

Pasi mbrojti deklaratën per Akropolin, kryeministri shqiptar nuk hezitoi të bënte një hap përpara, duke akuzuar Dulen dhe minoritetin grek se rrezikojnë të devijojnë kursin europian të Shqipërisë, shkruan gazeta.

Madje sipas saj, taktika e Ramës po shkon drejt provokimit, pasi kryeministri shqiptar preferon të përkrahë shkeljen e të drejtave të minoritetit grek dhe ta akuzojë ate për faktin që proteston.

Një dite më pare për deklaratat e Rames u shpreh edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias gjate nje takimi me homologun polak ne Athine.

Kotzias tha se me historinë duhet të sillemi në mënyrë serioze dhe të jemi serioze, pasi historia bazohet ne fakte dhe jo në trillime.

“Gjithkush qe preferon kulturën dhe historinë greke është i mirëpritur, por pa arritur në përfundimin se ato janë të vetat dhe nuk janë greke”.

Edhe “Protothema” i referohet deklaratës së Ramës në Kuvend për çështjen çame, ku kryeministri sqaroi se nëse Greqia nuk e pranon me këtë emër, ajo mund të njihet edhe si çështje shqiptare.