Greqi, shoferët e MPJ-së dënohen me 30 muaj burg me kusht për librat shqip

18.11.2016 19:00:30

Duket se transportimi nga Shqipëria drejt Greqisë i disa librave shqip dhe abetareve në makinën e tyre, i ka kushtuar shumë dy shoferëve të MPJ-së. Pasi janë arrestuar fillimisht nga policia dhe liruar më pas me ndërhyrjen e Tiranës zyrtare, Altin Tafa dhe Agim Asllani janë dënuar nga një gjykatë greke në Janinë me 30 muaj burg me kusht. Gjykata i ka lënë në lirim me kusht dy punonjësit shqiptarë dhe lirimi me kusht zhbëhet pas 3 vjetësh.

Shoferët u ndaluan të dielën në Pikën Kufitare të Kakavijës pasi në mjetin që ata drejtonin u gjetën disa tekste në gjuhën shqipe që po dërgosheshin në Ambasadën shqiptare në Athinë për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët e emigrantëve.

Sipas aktakuzës së prokurorisë greke, mes teksteve që ata zotëronin në makinën e tyre, ndodhej edhe një hartë e Shqipërisë së Madhe. “Librat kishin përmbajtje anti-greke”, – thekson prokuroria. Ndërkohë që MPJ-ja shqiptare argumentoi se librat mësimorë ishin për fëmijët e emigrantëve në shtetin fqinj.

Lidhur me përmbajtjen e librave, prokurori tha se “ky është një material me përmbajtje anti-greke, dhe kjo mund të rrezikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”. Sipas palës greke në tekstet e librave që po transportoheshin kishte harta të së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Ambasada shqiptare në Athinë nga ana e saj ka shpjeguar se nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, por për një hartë ku tregohen vendet ku ka përqëndrim të popullsisë shqiptare, jo vetëm në rajonin e Ballkanit.

Gjithsesi, dy shoferët e MPJ-së ndodhen në Tiranë. Ata u mbrojtën sot në gjyq nga një avokat shqiptar dhe nga konsulli i Shqipërisë në Janinë.