Greva e mjekëve, më 3 janar vendoset për masat e reja

28.12.2018 16:14:38

Këshilli Qendror Grevist i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kanë takuar sot kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, ndërsa pas këtij takimi FSSHK theksoi se më 3 janar do të vendoset për masa e reja.

Në këtë takim është vendosur që Këshilli Qendror Grevist i FSSHK-së ka vendosur që më 3 janar 2019 të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues të FSSHK-së ku edhe do të merren vendimet për hapat e ardhshëm sindikal.

“Nga data 29 dhjetor 2018 ora 7:00 deri me datë 03 janar 2019 pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues të FSSHK-së puna nëpër institucionet shëndetësore zhvillohet në bazë të planprogramit të punëdhënësit”, thuhet në njoftim.

“Edhe njëherë i falënderojmë të gjithë që kanë përkrahur kauzën tonë dhe popullatën e cila na ka mirëkuptuar. Presim reflektim të organeve ligjvënëse lidhur me kërkesat tona në mënyrë që ne të mund të ju ofrojmë shërbimet tona popullatës”, thuhet në komunikatën e këtij Këshilli.